Nga Aladin Stafa

Teksa Kosova pret të mbushë për pak ditë 17 vite si shtet i pavarur, këtë të diel ajo pritet të shkojë drejt zgjedhjeve parlamentare.

Zgjedhje këto të cilësuara si ‘normale’, pasi për herë të parë ka qenë e mundur që një mandat 4-vjecar të mbyllet me sukses pa ndërprerje të parakohshme. Partia në udhëheqje, me në krye Kryeministrin Albin Kurti, shihet ndjeshëm e favorizuar përkundrejt LDK-së, PDK-së, koalicionit të AAK-së me Nismën apo dhe partive te tjera. Fushata e bërë përgjatë muajit Janar dhe jo vetëm, ka qenë dinamike dhe po aq intensive, ku çdo aktor politik ka shpalosur programin e tij duke shkuar’derë më derë’ te qytetarët me vullnetin e mirë duke iu imponuar me gatishmëri premtimet për mandatin e ardhshëm.

Përveç votës së brendshme, një rol jo pak të rëndësishëm do të luajë dhe vota e diasporës, ku shtetasit e Kosovës e gëzojnë me ligj të drejtën e zgjedhjes, tashmë si një faktor me peshë në ekonominë dhe zhvillimin e vendit prej vitesh. Si një shtet i formuar rishtazi, qëllimi i Kosovës është krijimi i një stabiliteti politik, ngritja e një ekonomie të qëndrueshme, demokratizimi i institucioneve, zgjerimi i njohjeve de juro nga më shumë shtete dhe si rrjedhojë sqarimi i një të kaluare jo pak të vështirë. E duket fare qartë se kjo e fundit, ka qenë dhe mbetet ende një pikë vlimi ku gjetjes së një zgjidhjeje nuk po i vjen fundi. Përveç partive tashmë të konsoliduara, në garë është bërë e mundur deri më tani dhe certifikimi i Listës Serbe e cila me mbështetjen e Beogradit, nuk e njeh ende shtetin e Kosovës.

Tani panorama është e qartë. Kosova vjen në këto zgjedhje pas një viti tepër polemizues. Ngjarjet dhe konfliktet e zhvilluara me fqinjët rikthyen edhe njëherë hijet e së shkuarës. Aq më tepër u aludua gjerësisht për një përplasje që do të mund të eskalonte njëjtë si shekullin e kaluar. Situata tashmë e njohur në Rusi dhe mosvëmendja prej zhvillimeve nga SHBA, motivuan palën serbe gjatë vitit 2024 që të hidhte sytë nga Kosova, duke rritur ndjeshëm presionin. Duke ditur natyrën gjaknxehtë dhe patriotike të ballkanasve, liderët politikë vazhdojnë të luajnë me këtë kartë për të fituar simpatinë e popullit dhe njëkohësisht gjetjen e një ‘armiku’ për të thënë edhe njëherë se politika e jashtme është e vetmja politikë që mund të zhvillohet.

Nga ana tjetër, ardhja e Presidentit Donald Trump i ka trazuar jo pak ujërat. Nga dekretet e firmosura deri më tani, Ballkani duket se ka mbetur i mënjanuar si për të treguar se nuk jemi Ne, qendra e botës dhe se çdo gjë duket se është nën kontroll. Këto zgjedhje nuk janë të rëndësishme vetëm për nga politika e brendshme, por dhe për fatin e vetë Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku fituesi i tyre pritet të ketë barrën e një negociatori me palën tjetër për të kthyer de facto në de juro njohjen e pavarësisë.

Por, cili duket të jetë roli i Shqipërisë në gjithë këtë situatë? Si një shtet tashmë i konsoliduar, me një vëmendje të shtuar nga ndërkombëtarët vitet e fundit, çfarë Shqipëria mund të ofrojë është mbështetja dhe gatishmëria ndaj Kosovës, lobimi në tryezat më të larta burokratike, stabiliteti në rajon dhe më e rëndësishmja, forcimi i urave ekonomiko-kulturore brenda një kombi, padrejtësisht të ndarë në dy shtete.

Historia nuk mund të harrohet asesi, pasi pa të humbet identiteti i një vendi por ulja në një tryezë të përbashkët dhe gjetja e një kompromisi duket të jetë e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë. Për një herë të vetme është e këshillueshme që aktorët politikë të sillen si skandinavë dhe jo si ballkanas, duke lënë mënjanë zemërimin, egon dhe kokëfortësinë për t’i prirur një ambjenti të qetë nga ku politikat e brendshme për zhvillim do të mund të ushtroheshin më lehtë. Për një Kosove faktike, të fortë dhe në rritje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA