Një vajzë 12-vjeçare nga Sukthi ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Durrësit, pasi pësoi një hemorragji cerebrale.

Sipas informacionit nga drejtoria e spitalit, e mitura mbërriti me autoambulancë në orën 09:30 të së premtes me kriza konvulsive. Pas trajtimit në urgjencën pediatrike, ajo u transferua në pavion, ku mjeku neuropediatër kërkoi një rezonancë magnetike, që nuk mundën ta kryejnë për shkak të konvulsioneve të përsëritura.

Rreth orës 16:00, pas një stabilizimi të pjesshëm, vajza u dërgua për skaner, i cili konfirmoi hemorragjinë cerebrale. Pacientja u intubua për shkak të rënies së oksigjenit, por gjendja e saj u përkeqësua dhe rreth orës 18:30 ndërroi jetë.

Mjekët dyshojnë se shkaku i hemorragjisë cerebrale mund të ketë qenë një aneurizëm i pashfaqur më parë ose një keqformim arteriovenoz, por ekzaminimet mjeko-ligjore priten të përcaktojnë shkakun e saktë.

Brenda më pak se një muaji, ky është rasti i tretë që një e mitur humb jetën në spital, pas 12-vjeçarit nga Korça dhe 6-vjeçarit nga Lushnja. Të tre për sëmundje të pazakonta për moshën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA