“Duam drejtësi për tragjedinë e përplasjes së trenave”/ Mijëra studentë grekë marshojnë para parlamentit në Athinë, protestë edhe në 30 qytete të tjera

07/02/2025 21:09

Mijëra studentë grekë marshuan drejt ndërtesës së parlamentit në Athinë dhe në 30 qytetet e tjera të vendit duke kërkuar drejtësi për tragjedinë e përplasjeve të trenave dy vjet më parë, ku humbën jetën 57 vetë, shumica studentë.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej: “Unë nuk kam oksigjen”, duke i bërë jehonë fjalëve të fundit të një prej pasagjerëve që u dogjën në aksident.

Familjet e viktimave, të cilat kanë akuzuar autoritetet se po përpiqen të mbulojnë provat, thanë se gati 30 persona u vranë nga shpërthimi dhe zjarri që u shkaktua pas përplasjes nga një lëndë djegëse që transportonte ilegalisht një prej trenave dhe gati dy vjet më vonë, nuk ka asnjë përfundim zyrtar se çfarë e shkaktoi atë shpërthim.

“Kërkojmë që të vendoset drejtësia për krimin në Tempi, kundër mbulimit të tmerrshëm që kemi parë gjithë këto kohë, me cimentimin e vendit të tragjedisë për fshehjen e provave, me montimin e audios së bisedave (provave), në një aksident ku 30 persona u dogjën të gjallë nga shpërthimi i një lënde djegëse pas përplasjes së trenit”-shprehet një studente.

Nga Propylaia në Athinë , sheshi me statujën e Venizelos në Selanik, në Larisa, Patra, Volos, Serres, Irakleio dhe Hania, protestuesit bashkuan thirrjet e tyre për drejtësi duke kërkuar të zbardhen sa më shpejt shkaqet e tragjedisë hekurudhore, për të cilën kritikohet drejtësia , por edhe qeveria e kryeministrit Mitsotaki.

Ne jemi sot këtu me shoqatat studentore për të protestuar për 57 të vdekurit, për të protestuar kundër krimit të ndodhur në Tempe, por edhe për politikën që vendos në vend të parë fitimet , para jetëve të njerëzve”- thotë një student.

Hetimi për aksidentin është ende në vazhdim, dhe dhjetëra persona janë akuzuar deri tani, duke përfshirë një drejtues stacioni, por gjyqi ende po vonon.

Dhjetë ditë më parë një protestë e re mbarëkombëtare me qindra mijëra qytetarë që u organizuan pa ndërhyrjen e asnjë force politike dhe vetëm nga komisioni i prindërve të të humburve në tragjedi, ka risjellë përsëri në vëmendje të opinionit publik gjykimin e vonuar të kësaj çështje duke intensifikuar presionin mbi qeverinë konservatore, ndërsa tragjedia tashmë ka shkaktuar protesta masive publike dhe polemika politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA