![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/joseph_sd-800x450.jpg)
Fushata zgjedhore në Kosovë ka ndezur përplasje edhe mes vetë komunitetit serb atje.
Akuza të shumta po lëshojnë pjesëtarë të këtij komuniteti ndaj njëri-tjetrit, e mes tyre, ndoshta më të ashprat janë ato për blerje vote.
“Reklama për vende pune në shëndetësi dhe për ndihmë financiare për të papunët nga buxheti i Serbisë… Pajisje shtëpiake dhe subvencione bujqësore nga Qeveria e Kosovës… Të gjitha në këmbim të “votave të sigurta”: Këto janë disa prej akuzave që i referohen një pjesë Listës Serbe – partisë më të madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – e të tjerat Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, udhëheqësi i së cilës, Nenad Rashic, drejton Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Kundërshtarët politikë të Listës Serbe thonë se dhënia e ndihmës sociale prej 20.000 dinarësh (rreth 170 euro) për 5.000 persona – e cila është paralajmëruar qysh vitin e kaluar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, është “e rezervuar” ekskluzivisht për ata që do të konsiderohen si “votues të sigurt” të Listës Serbe.
Zyrtarë të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, në anën tjetër, akuzohen se kanë shpërndarë pajisje shtëpiake dhe subvencione bujqësore nga buxheti i Qeverisë së Kosovës për të fituar vota.
Kodi Penal i Kosovës parashikon një dënim prej një deri në pesë vjet burgim për çdo person që kërkon ose përfiton ndonjë avantazh të padrejtë, me qëllim të votimit për një person të caktuar.
Top Channel