Propozimi i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të zhvendosur përkohësisht popullsinë e Gazës do të ishte vetëm i përkohshëm, ka thënë Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Kjo vjen pas sugjerimit të Trump-it se SHBA-ja mund të “merrte kontrollin” e Gazës dhe të zhvendoste rreth dy milionë palestinezë që jetojnë atje – një ide që ka nxitur kritika nga OKB-ja, grupet për të drejtat e njeriut dhe liderët arabë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e sqaroi më tej komentin e Trump-it, duke thënë se SHBA-ja nuk po planifikon të vendosë “trupa në terren” në këtë territor.
Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se banorët e Gazës “duhet të lejohen të gëzojnë lirinë e daljes dhe emigrimit”, por nuk dha shumë detaje se si do të funksiononte kjo.
Gjatë një udhëtimi në Guatemala, Marco Rubio tha se propozimi i Trump-it nuk ishte “armiqësor”, por një “lëvizje bujare”, që tregon “gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për t’u bërë përgjegjëse për rindërtimin e asaj zone”.
Ai tha se ideja ishte që banorët e Gazës të largoheshin nga territori për një periudhë “të përkohshme” ndërsa të pastroheshin rrënojat dhe të realizohej rindërtimi.
Sipas ligjit ndërkombëtar, përpjekjet për të zhvendosur me forcë popullsi nga një territor i pushtuar janë rreptësisht të ndaluara.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve të mërkurën se presidenti ishte i angazhuar për rindërtimin e Gazës dhe “zhvendosjen e përkohshme” të banorëve të saj gjatë këtij procesi.
Trump tha të martën se kjo zhvendosje do të ishte e përhershme.
Leavitt gjithashtu tha se presidenti nuk ishte angazhuar për të vendosur “trupa në terren” në këtë territor, por nuk përjashtoi mundësinë e përdorimit të trupave amerikane atje.
Deklaratat e saj vijnë pasi Trump propozoi marrjen nën kontroll të Rripit të Gazës dhe transformimin e tij në “Rivierën e Lindjes së Mesme”.
“SHBA-ja do të marrë nën kontroll Rripin e Gazës dhe ne do të bëjmë një punë të mirë me të,” tha Trump të martën gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili e quajti këtë ide “të denjë për t’u marrë në konsideratë”.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, gjithashtu e lavdëroi propozimin e Trump-it, duke shtuar se banorët e Gazës “duhet të lejohen të gëzojnë lirinë e daljes dhe emigrimit” përmes tokës, detit apo ajrit.
Ai tha se vende si Spanja, Irlanda dhe Norvegjia – kritikë të luftës – “janë të detyruara ligjërisht të lejojnë çdo banor të Gazës të hyjë në territorin e tyre”.
Ai nuk shpjegoi se si do të funksiononte propozimi – ose nëse banorët e Gazës do të mund të ktheheshin pas rindërtimit.
Ministri i Jashtëm i Spanjës e ka refuzuar këtë sugjerim.
Top Channel