Janari i vitit 2025 ka shënuar një moment historik, duke u klasifikuar si muaji më i ngrohtë që është regjistruar ndonjëherë, me një temperaturë mesatare globale prej 13,23 gradë Celsius.
Kjo temperaturë është 0,79 gradë më e lartë se mesatarja për periudhën 1991-2020 dhe 1,75 gradë mbi nivelet para-industriale. Kjo ngrohje rekord ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve dhe ekspertëve të klimës, duke u konsideruar si një tjetër tregues i intensifikimit të ngrohjes globale.
Sipas shërbimit të motit të Bashkimit Europian, Copernicus, ky janar i ngrohtë ka prekur shumë pjesë të botës, me veçanërisht temperatura të larta në Evropën Jugore dhe Lindore, duke përfshirë edhe Rusinë Perëndimore. Megjithatë, disa rajone të tjera kanë regjistruar kushte më të ftohta, siç janë Islanda, Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe veriu i Francës.
Përtej Evropës, temperatura ka qëndruar mbi mesataren gjithashtu në pjesë të mëdha të Kanadasë, Alaskës dhe Siberisë. Të ngjashme ishin kushtet në Amerikën Jugore, Afrikë, Australi dhe Antarktidë, ku ngrohja globale ka pasur ndikime të ndjeshme. Nga ana tjetër, disa rajone të Shteteve të Bashkuara dhe pjesët lindore të Rusisë kanë shënuar temperatura më të ulëta. Po ashtu, Gadishulli Arabik dhe Azia Juglindore kontinentale janë përballur me kushte më të ftohta se normalja.
Shërbimi Copernicus ka theksuar se ky muaj i ngrohtë është një tjetër tregues i tendencës shqetësuese të ngrohjes globale, që po prek të gjithë globin.
Top Channel