Termeti 5.2 i shkallës Rihter godet Santorinin, më i forti i këtyre ditëve! Aktiviteti sizmik vazhdon me intensitet në rritje

05/02/2025 21:56

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në orën 21.20 minuta në Cyclades, midis ishujve Santorini dhe Amorgos.

Ky është tërmeti më i fortë që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve në këtë zonë dhe është ndjerë deri në rrethinat e Athinës.

Më herët, një tërmet tjetër me fuqi 4.7 shkalla Rihter ishte regjistruar në të njëjtën zonë. Sipas Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, brenda 10 ditëve mbi 6400 lëkundje janë regjistruar mes ishujve Santorini dhe Amorgos, dhe specialistët shohin një përshkallëzim të fenomenit.

Ndërsa aktiviteti sizmik vazhdon me intensitet në rritje, gjithnjë e më shumë sizmologë po lënë të hapur mundësinë e një lëkundjeje që do t’i afrohet apo edhe do të kalojë shkallën prej 6 Rihter.

Në një takim në Ministrinë e Mbrojtjes Civile për aktivitetin sizmik në ishujt Ciklades, kryeministri grek Mitostakis foli për një fenomen gjeologjik jashtëzakonisht të ndërlikuar.

Specialistët kanë theksuar se rreziku i aktivizimit të vullkanit është shumë i largët, por nuk përjashtohet si skenar.

“Enjtja e vullkanit do të thotë që magma ka ardhur nga poshtë dhe po e shtyn vullkanin lart. Është një nga vullkanet më aktivë në botë, kuptohet që ekziston një mundësi e tillë”, ka deklaruar Michalis Foumelis, profesor i asociuar i Gjeologjisë në Universitetin Aristotelis të Selanikut.

Sa i përket Santorinit, pamjet televizive tregojnë rrugët dhe dyqanet bosh, ndërsa organet lokale bëjnë me dije se janë larguar mbi 12000 banorë, turistë dhe të punësuar gjatë tre ditëve të fundit.

Në ishull është ngritur një rrjet mbrojtës që do të funksionojë në rast të një tërmeti të madh për gjithë Cyclades me Brigadat e Zjarrfikësve, të Ndërhyrjes në rastet e Katastrofave, Policinë, ushtrinë, skafet dhe helikopterët e Rojes Bregdetare në gatishmëri të plotë.

Bashkia e Santorinit ka hartuar gjithashtu një plan emergjence në katër faza që qytetarët të strehohen në vende të sigurta, ndërsa Ministria e Qeverisjes Dixhitale shpalli platformën dixhitale mysafetyplan.gov.gr për strehimoret ku qytetarët mund të shkojnë në rast tërmeti apo fatkeqësisi të tjera natyrore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA