Për orët e terrorit që përjetoi Suedia, përgjegjës nuk ka qenë një nxënës i shkollës së mësyrë ku vdiqën 10 vetë, por një 35 vjeçar, i cili në fund e ktheu armën nga vetja. Identiteti i tij nuk është bërë ende publik, por detaje nga masakra po dalin ngadalë.
Episodi më i përgjakshëm i këtij lloji në historinë e vendit u shënua në qytetin Örebro, në kampusin e një qendre studentore ku mësohet se zhvilloheshin edhe kurse për emigrantë.
Sipas të dhënave fillestare, autori i krimit nuk ka lidhje me bandat kriminale. Policia gjithashtu nuk dyshon për motiv terrorist.
“Autori i dyshuar nuk ishte i njohur më parë për ne, supozojmë se ai ka vepruar i vetëm. Por jemi ende në fillim të hetimeve”, shprehet shefi i policisë, Roberto Eid Forest.
Shkaqet e ngjarjes së rëndë nuk dihen ende. Kryeministri suedez, Ulr Kristersson bëri fjalë për një errësirë që po shtrihet mbi vend. “Në Suedi ndodhi ajo që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Kemi parë dhunë brutale vdekjeprurëse kundër njerëzve të pafajshëm. Këto janë të shtënat më të këqija në historinë tonë. Ne e dimë se shumë njerëz në Örebro janë thellësisht të dëshpëruar. Shumë fëmijë janë të frikësuar dhe të shqetësuar”, tha ai. Sulmet në shkolla janë shumë të rralla në Suedi. Sipas vlerësimeve zyrtare, deri më sot kishte pasur 10 vdekje në 7 episode dhune në një periudhë më shumë se dhjetëvjeçare, nga viti 2010 deri në vitin 2022.
Top Channel