Vranë Ramazan Matajn me breshëri plumbash në Shkodër/ Apeli rrëzon kërkesën, lë në burg dy vëllezërit

03/02/2025 10:54

Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e dy vëllezërve Arjon dhe Klisman Hasaj të akuzuar për vrasjen e Ramazan Matajt në Dragoç të Shkodrës.

33-vjeçari Ramazan Mataj u qëllua me breshëri plumbash brenda makinës së tij tip “Benz” dhe më pas u gjet nga kalimtarët e rastit, banorë të fshatit Dragoç më 5 janar.

Autorët dyshohet se e kanë ruajtur Matajn gjatë natës dhe në momentin që ka dalë në rrugën kryesore të fshatit e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur.

Ishin banorët që panë 33-vjeçarin e pajetë brenda automjetit dhe kanë lajmëruar policinë e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes.

Në orët e para të mëngjesit, pasi i kishin ngritur ‘kurth’ 33-vjeçarit duke krijuar profil të rremë në emër të një vajze, ata e nxorën në pritë viktimën ku qëlluan me 9 plumba në drejtim të tij.

Dyshohet se dy familjet që jetonin në të njëjtin fshat, kishin pasur konflikte prej vitesh, pasi e motra e autorëve kishte lidhje jashtëmartesore me viktimën.

Ky i fundit kishte ndikuar përmes publikimit të videove intime me të, për prishjen e dy martesave të motrës së autorëve.

Pas ngjarjes ata ishin kapur nga kamerat e sigurisë duke ikur nga vendi i ngjarjes me biçikletë, ndërsa armën e kishin groposur afër banesës së tyre.

Sipas njoftimit, mbi kërkesën e Prokurorisë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj:

– personit nën hetim me iniciale A. H, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 dhe 278 të Kodit Penal.
– personit nën hetim me iniciale K. H, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga nenet 80, 278 dhe 301 të Kodit Penal.

Lidhur sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 32 (47), datë 10.01.2025, ka vendosur:

-Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim A. H, i kryer nga ana e policisë gjyqësore ne datë 07.01.2025, ora 13:00, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” të parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal.
-Caktimin ndaj personit nën hetim A. H, masën e sigurimit personal ‘arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

-Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim K. H, i kryer nga ana e policisë gjyqësore ne datë 07.01.2025, ora 13:00, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, të parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 të Kodit Penal
-Caktimin ndaj personit nën hetim K. H, masën e sigurimit personal ‘arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga personi nën hetim me iniciale K. H, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 03.02.2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar Z. Fatri Islamaj, vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 32 (47), datë 10.01.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA