Me qindra mijëra vetë kanë dalë në rrugë në qytetet e Gjermanisë për të kundërshtuar planin e kufizimit të emigracionit, të propozuar nga konservatorët e opozitës dhe të mbështetur nga Alternativa për Gjermaninë, AfD dhe në parim, bashkëpunimin politik me ekstremin e djathtë.
Vetëm në Berlin, sipas policisë, u grumbulluan mbi 160 mijë demonstruesit, por organizatorët insistojnë se numri ishte shumë më i lartë se kaq.
Marshimi demonstrues u zhvillua nga rrugët e afërta me Bundestagun e deri tek selia e partisë CDU. Atje, demonstruesit ndezën dritat e celularëve dhe brohoritën kundër kandidatit të Unionit për kancelar, Friedrich Merz. Demonstruesit kërkuan distancë të qartë ndaj AfD dhe brohorisnin Merz duhet të turpërohet. Për shkak të numrit të madh të protestuesve, shumë rrugë u bllokuan në Berlin.
“Është vërtet e madhe frika se një parti e djathtë radikale do të fuqizohet në Gjermani dhe do të na e bëjë jetën ferr. Për fat, unë jam gjerman dhe kam pasaportë gjermanë, por nuk është e njëjta situatë dhe për shumë të tjerë. Jam i shqetësuar edhe për bashkëqytetarët e mi”, shprehet një protestues.
“Zhvillimet e kësaj jave në parlament ishin një tronditje e madhe për mua, për vetë faktin që CDU po gjen kauzë të përbashkët me AfD-në, që po votojnë bashkë, e që kanë bere marrëveshje më parë. Praktikisht, premtimet e Merzit, u shembën, dhe kjo më shokoi totalisht”, thotë një protestuese.
Friedrich Merz, udhëheqësi i konservatorëve, i cili ka të ngjarë të bëhet kancelari i ardhshëm i Gjermanisë pas zgjedhjeve kombëtare që pritet të mbahen në 23 shkurt, parashtroi një projekt-propozim me mbështetjen e AfD-së, duke thyer kështu një tabu, për të mos bashkëpunuar me partinë e ekstremit të djathtë. Ai tentoi të premten të kalonte në parlament propozimin e tij për emigracionit, por nuk arriti të sigurojë shumicën pasi disa nga deputetët e partisë së vet refuzuan ta mbështesnin. Mungesa e mbështetjes i dha një goditje autoritetit të Merz, i cili ishte paralajmëruar nga kolegët e partisë së tij se rrezikonte të humbiste mbështetje nëse votonte përkrah të djathtës ekstreme. Projektligji parashikon kufizime në procesin e bashkimit familjar për disa refugjatë dhe kthimin e më shumë emigrantëve.
Top Channel