Hetuesit njoftuan se është gjetur kutia e zezë e helikopterit të ushtrisë amerikane që u përplas me një avion pasagjerësh të mërkurën në mbrëmje, në aeroportin e kryeqytetit amerikan.
Autoritetet thanë se po shqyrtojnë të dhënat e fluturimit të helikopterit, së bashku me të dhënat e gjetura në kutitë e zeza të avionit në përpjekje për të gjetur shkakun e përplasjes që la 67 të vdekur.
Ndërkohë, ekipet e posaçme po vazhdojnë kërkimet në lumin Potomak, si pjesë e operacionit të kërkimit dhe hetimit për një prej aksidenteve ajrore me të rënda në thuajse një çerek shekulli në Shtetet e Bashkuara. Shefi i Departamentit të Zjarrfikëses, John Donnelly Sr. tha të premten se ishin gjetur trupat e 41 viktimave.
Është e paqartë se për sa kohë do të vazhdojë operacioni i kërkimit. Tashmë aeroporti “Ronald Reagan” ka vazhduar punën ndonëse dy nga tre pistat e aeroportit vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Të premten, Presidenti Donald Trump tha se helikopteri i ushtrisë i tipit “Black Hawk” po fluturonte më lart se sa duhej në momentin që u përplas me avionin e kompanisë “American Airlines”.
“Helikopteri Blackhawk po fluturonte në një lartësi shumë më të madhe se sa kufiri prej 61 metrash. Kjo nuk është shumë e vështirë për t’u kuptuar, apo jo”, shkroi Presidenti Trump në një postim në rrjetin Truth Social.
Top Channel