I dërguari i Presidentit Donald Trump, Richard Grenell, pritet të takohet të premten në Venezuelë me Presidentin Nicolas Maduro, sipas të dërguarit special amerikan për Amerikën Latine, Mauricio Claver-Carone.
Presidenti Trump tha javën e kaluar se administrata e tij ka të ngjarë të ndalojë blerjen e naftës nga Venezuela dhe se e kishte përqendruar vëmendjen tek vendi i Amerikës së Jugut.
Zoti Grenell, i dërguari i Presidentit Trump për misione speciale, është shprehur më herët se kishte biseduar me disa zyrtarë të ndryshëm venezuelianë dhe se do të fillonte takimet, disa ditë pasi administrata e kaluar e Presidentit Biden vendosi sanksione të reja ndaj qeverisë Maduro.
“Diplomacia është rikthyer”, tha zoti Grenell në një postim në rrjetin X, ndërsa njoftoi për bisedimet me zyrtarët venezuelianë. “Bisedat janë një taktikë”.
Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump e quajti diktator zotin Maduro. Gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti Trump ndërmori një fushatë të “trysnisë maksimale” ndaj zotit Maduro, përfshirë sanksione të ashpra ndaj Venezuelës dhe industrisë së naftës së atij vendi.
Pas marrjes së pushtetit, Presidenti Biden hoqi disa nga kufizimet e vëna nga administrata e Presidentit Trump pas premtimeve elektorale nga zoti Maduro, por më pas i rivendosi ato, duke thënë se udhëheqësi i Venezuelës nuk iu përmbajt premtimeve për zgjedhje të drejta dhe demokratike.
Gazeta “Financial Times” njoftoi të premten se kompania “Chevron” po përpiqet të mbrojë licencën speciale amerikane që e lejon atë të operojë në Venezuelë.
Shefi ekzekutiv i kompanisë së naftës, Mike Wirth, i tha gazetës se “Chevron” do të angazhohej me Shtëpinë e Bardhë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se licenca duhet të rishikohet.
Nëse firma “Chevron” detyrohet të largohet, Kina dhe Rusia do të kenë ndikim në vendin anëtar të organizatës së OPEC-ut, tha zoti Wirth.
Vitin e kaluar eksporti i naftës venezuelase drejt Shteteve të Bashkuara u rrit me 64% ose rreth 220,000 fuçi në ditë, duke e bërë Amerikën tregun e dytë më të madh të eksportit pas Kinës, e cila importon 351,000 fuçi në ditë, 18% më pak se një vit më parë./VOA
Top Channel