FIKS FARE/ Bën thertore pa leje me kafshë të paidentifikuara në zonë të banuar, qytetarët: Nuk rrimë dot në shtëpi nga era e rëndë

31/01/2025 21:36

Disa banorë të rrugës “Bashkim Kodra” në Shkozë, u ankuan me anë të një videoje në Fiks Fare, pasi pak metra nga pallati i tyre dikush mban bagëti, madje ka dhe një thertore të improvizuar. Era e bagëtive, gjakut nga therja e kafshëve dhe mizat që tashmë nuk njohin stinë, ishte problemi që ata ngrinin.

Fiksi dërgoi një grup xhirimi në Shkozë ku pa nga afër pjesën e tokës ku mbaheshin bagëti të imta e kafshë të tjera. Denoncuesi shpjegon se situata është bërë e padurueshme sa ata nuk rrinë dot më as në shtëpitë e tyre prej ndotjes së ambientit. Banorët e pallatit që ankohen i ndan vetëm rruga me zotërinë që ka në pronësi këto kafshë.

Nga shtëpia e denoncuesit dukej edhe një pjesë e mbuluar me plasmasë dhe materiale të tjera, për të cilën denoncuesi thotë se është vendi ky zotëria ther kafshët e më pas e shet mishin në kushte të papërshtatshme. “Duke e ditur që therja dhe shitja e mishit në ato kushte është e jashtëligjshme, e ka mbyllur në mënyrë që mos të merret vesh, por që ne e dimë” thotë qytetari.

“Jemi bërë të ikim nga shtëpia, pasi gjendja siç e shihni është e tmerrshme. Nuk hapim dot dritaret dhe jo vetëm nga era e keqe, por edhe nga mizat” pohon denoncuesi. Ai tregon se është ankuar edhe tek polici i zonës , por që e ka orientuar të ankohet në institucionet e tjera përgjegjëse.

Fiksi iu drejtua Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve të cilët sëbashku me gazetarët kontrollua zonën. Përgjegjësja Gëzime Shehu sqaroi për Fiksin se zotëria nuk është i regjistruar si fermerë dhe se kafshët që ai mban janë të pakontrolluar, matrikulluara prej tyre.

Kushtet e mbajtjes së tyre jashtë çdo standardi të parashikuar nga AKVMB-ja. ” Zotëria duhet të bëj fillimisht regjistrimin e kafshëve tek ne dhe të gjendet një vend i përshtatshëm” pohon znj. Shehu. Kurse Shefki Tashi veteriner shërbimi tha se minimumi i largësisë së mbajtjes së bagëtive nga zonat e banuara është tek 500-700 metra, ” Këtu nuk ka asnjë kusht as për mbajtjen e kafshëve dhe mbi të gjitha shkelet edhe ligji mbi ndotjen e ambientit” përfundoi ai. Ata u zotuan se do të gjenin një zgjidhje dhe ashtu ndodhi.

Pas një jave mes shumë bisedimesh me zotërinë që mbante bagëtitë, AKVMB-ja arriti të matrikullonte të gjitha kafshët dhe t’i dërgonin në një vend më të përshtatshëm, në Dajt. Por pasi ndodhi kjo banorët u ankuan sërisht në Fiks Fare pasi z. Xhevahir Myrto, zotëria që mbarështonte kafshët i solli sërish në vendin e mëparshëm, pra në zonë të banuar në Shkozë.

Pas interesimit të vazhdueshëm të Fiks Fare në Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në vend shkuan forcat e policisë dhe inspektorët e shërbimit veterinar, të cilët i dhanë paralajmërimin e fundit qytetarit që mbarështonte kafshët.

Këtij qytetari iu la një afat kohor prej 7 ditësh për largimin e kafshëve nga ajo zonë e banuar.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA