Gjykata e Apelit e Romës ka pezulluar vendimin për kthimin e 43 emigrantëve nga Bangladeshi dhe Egjipti të dërguar në kampin e Gjadrit.
Gjykata e Apelit e Romës ka pezulluar vendimin për kthimin e 43 emigrantëve nga Bangladeshi dhe Egjipti të dërguar në kampin e Gjadrit. Hera e tretë që kjo ndodh që kur janë hapur kampet në Shqipëri, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës Evropiane që do të shprehet përfundimisht për çështjen e vendeve të sigurta më 25 shkurt.
Media italiane raporton se në përfundim të seancave dëgjimore me videokonferencë, Komisioni i Azilit shqyrtoi kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare të 43 emigrantëve në Gjadër dhe arriti në përfundimin se shumica e kërkesave ishin “dukshëm të pabazuara”. Vetëm një individ u vlerësua si i cenueshëm dhe do të vazhdojë procedurën për azil sipas rregullave të zakonshme.
Disa organizata dhe grupe politike kanë ngritur shqetësime të forta për mënyrën se si po trajtohen azilkërkuesit në Itali. Përfaqësues të Tryezës së Azilit dhe Emigracionit kanë theksuar se praktikat e përdorura nuk përputhen me ligjin ndërkombëtar dhe atë europian, duke akuzuar autoritetet italiane për refuzim të drejta të azilkërkuesve dhe për mungesë mbrojtjeje ligjore për ta.
Sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, kritikoi ashpër qeverinë “Meloni” për menaxhimin e situatës, duke e cilësuar si një “dështim të madh” dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministres italiane. Ajo e akuzoi qeverinë për shpërdorim të burimeve publike dhe për mosrespektim të ligjeve dhe vendimeve të BE-së. Sipas Schlein, kostot për këtë proces tashmë kanë tejkaluar një miliard euro, të cilat mund të ishin investuar në fushën e shëndetësisë.
Kjo çështje ka bërë që shumë shtete dhe shoqata të ndryshme të hapin diskutime të mëtejshme për politikat e migracionit dhe mbrojtjes ndërkombëtare, duke vënë në dukje nevojën për një qasje më të qartë dhe të balancuar. Ndërkohë, për emigrantët që do të kthehen nga Shqipëria, pasojat e këtij vendimi mbeten të paqarta dhe e ardhmja e tyre mbetet në pritje të vendimeve të mëtejshme ligjore.
Top Channel