Zgjedhja e Presidentit Donald Trump për rolin e Sekretarit Amerikan të Shëndetësisë, Robert F Kennedy Jr, u vu përballë pyetjeve nga senatorët në seancën e tij të parë të dëgjimore përballë senatit.
Posti i sekretarit të shëndetësisë është një pozicion kyç i qeverisë federale që mbikëqyr çështjet e shëndetit publik, duke përfshirë kërkimin mjekësor, sigurinë ushqimore dhe programet e mirëqenies publike.
Kennedy, i cili ishte një skeptik i vaksinës, iu kërkua të shpjegonte komentet e tij mbi vaksinën Covid-19 dhe vaksinat e tjera. Ai gjithashtu u pyet për pikëpamjet e tij mbi abortin dhe opinionet e tij mbi industrinë ushqimore në SHBA.
Seanca dëgjimore e tij u ndërpre nga protestuesit që bërtisnin, por ai mori edhe duartrokitje të forta kur premtoi se do ta bënte ‘Amerikën të shkëlqyer’ sërish, një slogan i përdorur nga administrata e re.
Komentet e Kennedy për vaksinat
Gjatë gjithë seancës, senatorët përmendën komentet e kaluara të Kenedit për vaksinimin.
Një grup që ai drejtoi për tetë vjet, Children’s Health Defense, hodhi vazhdimisht dyshime mbi sigurinë dhe efikasitetin e vaksinimeve të fëmijëve dhe vazhdon të shtyjë pretendimin se vaksinat shkaktojnë autizëm.
Kennedy këmbënguli gjatë seancës se ai nuk ishte kundër vaksinës dhe se ai thjesht mbështet studime më të detajuara dhe teste sigurie për injeksionet.
Ai tha se mbështet planin aktual të vaksinimit të fëmijëve dhe këmbënguli se nuk ishte një teoricien konspirativ.
“Ky është një paragjykim për mua për të më penguar të bëj pyetje të vështira për interesa të fuqishme”, u tha Kennedy senatorëve.
Një premtim për të zhdukur ‘epideminë e sëmundjeve kronike’
Një pikë kyçe e përmendur nga Kennedy gjatë fjalëve të tij hyrëse dhe gjatë gjithë seancës dëgjimore ishte kritika e tij ndaj ushqimeve të përpunuara në SHBA, të cilat ai tha se nxisin e obezitetit.
Ai premtoi të shqyrtojë me kujdes aditivët kimikë në ushqim dhe tha se do të punojë për të zhdukur konfliktet financiare të interesit në agjencitë amerikane dhe industrinë ushqimore.
“Çdo abort është një tragjedi”, u tha Kennedy senatorëve
Kennedy, i cili më parë deklaroi se ishte në favor të të drejtave të abortit, u pyet për qëndrimin e tij për këtë çështje nga senatorët republikanë dhe demokratë.
Senatori republikan James Lankford e pyeti Kenedyn nëse ai planifikon të rikthejë mbrojtjen për mjekët që nuk duan të kryejnë procedurën për shkak të bindjeve të tyre fetare ose morale.
Kennedy u përgjigj duke thënë se të detyrosh mjekët që besojnë se aborti është vrasje të kryejnë procedurën “nuk ka kuptim”.
Michael Bennet, një senator demokrat, më pas e pyeti Kenedin për komentet e tij të kaluara, në të cilat ai shprehu mbështetje për të drejtat e abortit dhe tha se qeveritë nuk duhet të përfshihen me të drejtën e një gruaje për të zgjedhur.
Kennedy e nisi përgjigjen e tij duke thënë: “Unë besoj se çdo abort është një tragjedi”.
Ai vijoi duke thënë se ishte dakord me Trump se aksesi në abortin duhet të kontrollohet nga shtetet. Kennedy u zotua të linte mënjanë pikëpamjet e tij më liberale, duke thënë: “Unë shërbej për presidentin. Unë do të zbatoj politikat e tij.”
Seanca dëgjimore u zhvillua përpara komitetit të financave të Senatit. Kennedy përballet me një seancë të dytë konfirmimi të enjten përpara komitetit të shëndetësisë, arsimit, punës dhe pensioneve, ku ai do të përballet me më shumë pyetje nga senatorët.
Komitetet më pas do të votojnë për emërimin e tij përpara se ai të kalojë në të gjithë Senatin për shqyrtim.
Top Channel