Vrasja e aktivistit kosovar, Gjykata në Belgjikë jep dënimin burg të përjetshëm për të dy akuzuarit

29/01/2025 17:55

Gjykata Penale në Bruksel ka shpallur të mërkurën sërish dënimin me burgim të përjetshëm për Veselin Vukotiçin dhe Andrija Drashkoviçin, të cilët akuzohen për vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri.

Hadri u vra në Bruksel para 35 vjetësh. Gjykata ka konstatuar se Hadri ishte vrarë me urdhër të Shërbimit të zbulimit të ish- Jugosllavisë.

Këtë e ka bërë të ditur familja Hadri e cila për shumë vite ka kërkuar drejtësi para gjykatave të Belgjikës për vrasjen e Enverit. Fajësia e Vukotiçit dhe Drashkoviçit ishte konfirmuar nga juria të martën ndërsa dënimi u shpall të mërkurën.

Juria këto vendime i ka marrë pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shqyrtimit të provave që kishet paraqitur prokuroria por edhe avokatët e mbrojtjes. Veselin Vukotiç dhe Andrija Drashkoviç, së bashku me Bozhidar Spasiç, ishin dënuar edhe në vitin 2016 me burgim të përjetshëm por dy të palët ishin ankuar prandaj edhe ishte përseritur gjykimi.

Bozhidar Spasiç, zyrtar i lartë i Shërbimit të zbulimit nga Beogradi, nuk është ankuar, që do të thotë se dënimi me burgim të përjetshëm për të mbetet në fuqi.

Të dënuarit ndodhen në Serbi dhe gjykimi në Bruksel është zhvilluar në mungesë. Enver Hadri u vra më 15 shkurt të vitit 1990 në Bruksel nga të shtënat nga një makinë. Hetimet e kryera, ndërkohë, sollën përfundimin se vrasja ishte bërë me motive politike, e organizuar nga shërbimet jugosllave dhe me mbështetje logjistike nga nëntoka e Beogradit.

Enver Hadri ishte kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë dhe një emigrant politik që mblodhi dokumente për të dëshmuar dhunën e regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Vrasja e Enver Hadrit ishte vlerësuar si një nga pesë vrasjet më të njohura politike të kryera nga shërbimi sekret jugosllav./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA