NATO-ja ka shprehur gatishmëri për të punuar ngushtë me Peter Sorensenin kur të nisë zyrtarisht punën si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Pozita e tij është konfirmuar një ditë më parë, dhe ai do të nisë punën më 1 shkurt.
“Vazhdimi i bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së është kyç për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Më herët gjatë ditës, i dërguari në shkuarje i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka thënë se është takuar me pasardhësin e tij, dhe janë duke u siguruar që transicioni të ndodhë sa më lehtë që është e mundur.
Lajçak ka qenë në pozitën e ndërmjetësuesit për pesë vjet. Përgjatë mandatit të tij është arritur Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk është bërë asnjë hap drejt zbatimit të saj.
Po të martën, emërimin e Sorensenit në pozitën e ndërmjetësuesit, e ka përshëndetuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se pret qasje balancuese ndaj palëve, si parakusht për proces të suksesshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.
Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, ku ka punuar në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse kryediplomatja Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.
Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.
Vetë Lajçak pati thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, muaj më parë, se pretendime të tilla nuk qëndrojnë dhe pati vlerësuar se shoqëritë në Kosovë dhe Serbi, nuk janë të gatshme për normalizim.
Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel që prej vitit 2011.
Palët kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
Bashkimi Evropian u rikujton dy palëve shpesh se avancimi në procesin e dialogut është i lidhur me rrugën e tyre në integrimet euro-atlantike.
Serbia gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian dhe tashmë ka hapur disa kapituj për anëtarësim, ndërsa Kosova ka aplikuar për t’u bërë anëtare e BE-së, por aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.
Kosova është e vetmja në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka status të vendit kandidat, ndonëse zyrtarë të lartë të BE-së thonë vazhdimisht se ardhmja e rajonit të Ballkanit është në bllok./REL
Top Channel