“E papranueshme dhe e paligjshme”/ Konsensus i rrallë PS-PD në Kuvend kundër shkeljeve në garën për drejtorin e RTSH: Këshilli Drejtues të ndërpresë procedurën

29/01/2025 19:49

Komisioni i Medias, në mbledhjen e sotme, i kërkoi Këshillit Drejtues të RTSH-së të ndërpresë procesin për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm, pasi dyshimeve për shkelje të rregullave.

Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa, u shpreh se është e papranueshme dhe e paligjshme që anëtarët e Këshillit Drejtues të krijojnë votime për kriteret. Ajo akuzoi anëtarët e Këshillit Drejtues se po sillen si pronarë ‘de facto’ të RTSH-së. Zhupa propozoi që t’i dërgohet një shkresë zyrtare, në emër të Komisionit, me kërkesë ndalimin e menjëhershëm të procedurave dhe mosmarrjen e asnjë vendimi në lidhje me këtë garë, pasi konsiderohet e paligjshme.

Në këtë pikë, PS dhe PD mbajtën të njëjtin qëndrim. Edhe Evis Kushi u shpreh se Këshilli Drejtues duhet të ngrihet në nivelin që i takon dhe gara duhet të jetë e hapur, transparente dhe meritokratike. “Jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo hap për ta kthyer këtë proces në normalitet”, tha Kushi.

Zhupa – Desha të ngre shqetësimin tim dhe të hap një diskutimin, sikurse jeni vënë në dijeni në rrugë mediatike, se në rrugë zyrtare, informacionet nuk vijnë ose vijnë me shumë vonesë. Kemi parë se Këshilli Drejtues i RTSH-së, në procesin e garës së drejtorit, që është një proces që është bërë me kërkesën e Komisionit, se tendenca ishte për të mbajtur një drejtor të komanduar pa hapur garën. Përkundrejt kësaj, në hapjen e garës, ligji është shumë i qartë, ata që kalojnë kriteret, duhet të jenë në garë. Kush fiton, është atribut i Këshillit Drejtues. Por, është e papranueshme dhe e paligjshme që anëtarët e Këshillit Drejtues të shpikin procedura ekstraligjore, të krijojnë votime për kriteret, kur sipas ligjit kriteret ose janë, ose nuk janë. Nga informacioni që kemi marrë, nga 10 kandidatë, 5 i plotësonin kriteret dhe 5 nuk i plotësonin kriteret. Informacion nga rrugë jozyrtare, përveç një njoftimi publik që ka bërë RTSH pas debatit. 5 kandidatët që plotësonin kriteret, nuk lejohet që të votohen mbi kriteret. Ata duhet të votohen, zgjidhen apo jo drejtor. Nuk mund të votohen më për t’i skualifikuar, edhe pse votojnë kriteret. Këto janë shpikje antiligjore. Ne si Komision kemi përgjegjësi, ndërkohë që Këshilli nuk është pronë e akujt atje, është pronë publike, paguhet nga buxheti i shtetit me paratë e qytetarëve.

Do të duhet që me urgjencë, për shkak të çështjes, të thërrasim të gjithë Këshillin në një seancë llogaridhënie, nuk mund ta dëgjojmë më dëgjimore, se duhet të japin llogari kur shkelin detyrën, për të cilën janë votuar. Kërkoj t’i çohet një shkresë zyrtare, në emër të Komisionit, ku në pikën e parë të ketë ndalimin e menjëhershëm të procedurave dhe mosmarrjen e asnjë vendimi në lidhje me këtë garë, pasi konsiderohet e paligjshme. Në pikën e dytë, të ketë datën dhe orën kur do të thirren në seancë.

Ne si Komision nuk ndërhyjmë në garë, por kemi një mision, do të shikojmë zbatimin e ligjit. T’i kërkojmë dhe një informacion, ku të na thonë për çdo kandidat, i plotëson apo jo kriteret.

Kushi – Edhe ne e kemi ndjekur me shumë vëmendje dhe me shqetësim procesin që po ndodh në Këshillin Drejtues të RTSH. Jemi informuar edhe përmes deklaratave publike të kryetarit të Këshillit Drejtues apo publikimeve të tyre. Jemi informuar për shkelje ligjore dhe parregullsi. Të bëhemi bashkë për të mos lejuar paligjshmëri dhe shkelje të tillë. Kemi përgjegjësi t’i caktojmë, edhe t’i lirojmë sipas ligjit, por edhe detyrimin t’i monitorojmë dhe kërkojmë llogari kur nuk përmbushin detyrimet që kanë. Nuk mund të ndërhyjmë në proces, nuk kemi preferenca, por kemi interes që procesi të zhvillohet sipas ligjit dhe statutit. Këshilli Drejtues duhet të ngrihet në nivelin që i takon. Gara duhet të jetë e hapur, transparente dhe meritokratike. Ose nesër, ose në një ditë tjetër, para vendimmarrjes kryesore, të komunikojmë dhe të marrim vendim.

Zhupa – Ne nga ana e opozitës, do të kërkojmë edhe shkarkimin e tyre nga Këshilli Drejtues. Jemi të gatshëm t’i kërkojmë Kuvendit jo vetëm shkarkimin, por edhe emërimin e të tjerëve. Se është krijuar ideja që thonë s’kanë çfarë na bëjnë, mendojnë se janë pronarë de facto të RTSH.

Kushi – Jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo hap për ta kthyer këtë proces në normalitet

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA