Trump tha se Microsoft është në bisedime për blerjen e TikTok-ut, por kompanitë heshtin!

28/01/2025 10:46

Presidenti amerikan, Donald Trump, iu tha gazetarëve se kompania Microsoft është në bisedime për blerjen e TikTok-ut, duke shtuar se do të dëshironte të shihte një betejë ofertash për këtë aplikacion.

Kompania e teknologjisë, Microsoft nuk ka komentuar për këtë pohim të Trumpit. As TikTok e as ByteDance, që ka pronësi aplikacionin, nuk kanë komentuar po ashtu.

TikTok, që ka rreth 170 milion përdorues amerikanë, përkohësisht u ndalua para se ligji që i kërkon pronarit kinez, ByteDance, ta shiste ose do të ndalohej në Shtetet e Bashkuara të hynte në fuqi më 19 janar. Pasi mori mandatin e presidentit më 20 janar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke kërkuar shtyrjen për 75 ditë të zbatimit të ligjit, i cili bazohet në shqetësimet për sigurinë kombëtare.

Javën e kaluar, Trump tha se ai ishte duke biseduar lidhur me blerjen e TikTok-ut dhe do të dëshironte që vendimi për të ardhmen e aplikacionit popullor të merrej brenda 30 ditësh. Më herët, presidenti amerikan është shprehur i hapur që miliarderi Elon Musk ta blejë aplikacionin, nëse pronari i Tesla-s dëshiron ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë, Musk nuk ka komentuar publikisht këtë deklaratë të presidentit Trump.

Kjo është hera e dytë që Microsoft-i lidhet me blerjen e mundshme të TikTok-ut. Gjatë mandatit të parë si president, Trump kishte kërkuar që TikTok-u të ndante versionin për SHBA-të nga ByteDance-i, duke iu referuar shqetësimeve të sigurisë kombëtare. Në vitin 2020, Microsoft rezultoi ofertuesi kryesor, por bisedimet për blerjen e aplikacionit dështuan./TAR

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA