Shtëpia e Bardhë tha sot se zotimi i Presidentit Donald Trump për të miratuar tarifat 25% ndaj Meksikës dhe Kanadasë ekziston akoma si mundësi.
Trump kërcënoi se do vendoste tarifa kundër fqinjëve të Shteteve të Bashkuara gjatë ditës së tij të parë në detyrë, një ndryshim i madh në politikën tregtare të SHBA-së që mund të rrisë çmimet edhe për konsumatorët amerikanë.
Ai gjithashtu lajmëroi për një tarifë prej 10% për mallrat për të gjitha mallrat kineze.
“Për aq sa unë jam ende në dijeni, dhe kjo ndodhi mbrëmë duke biseduar drejtpërdrejt me presidentin, 1 shkurti është ende data që po shqyrtohet”, tha sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Kërcënimet për tarifa erdhën në ditët e para të marrjes së detyrës nga Trump. Meksika është vënë në shënjestër për shkak të numrit të madh të emigrantëve të paligjshëm që vijnë nga atje, ndërsa për Kanadanë, Trump është shprehur disa herë se dëshiron të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve.
Ndërkohë, tarifa ndaj Kinës vjen si pasojë e një luftë tregtare shumë vjeçare mes dy prej shteteve më të fuqishme në botë.
Top Channel