Emisioni “Fiks Fare” vijoi denoncimin për avokatin, Arbër Qehajaj, i cili këtë herë ka kërcënuar qytetaren që ngriti shqetësimin për mashtrim në emisionin Fiks Fare.
Përveç saj, avokati shkon edhe më tej duke kërcënuar dhe gazetarët e Fiksit. Pasi u ndje në befasi që emisioni Fiks Fare arriti të faktojë mashtrimet e tij, avokati bën një tjetër lëvizje duke i shkruar mbrëmjen e djeshme pas transmetimit bashkëpunëtorit të Fiksit t’i kthejë 50 mijë eurot që i ka dhënë.
Ndërkohë që vetëm pak minuta para se emisioni të transmetohej avokati mashtrues del në rrjetin e tij social Facebook ku në një status shkruajti se gazetarët e Fiksit i kërkuan para, por ai nuk i dha. “Më kërkuan 50 mijë euro nuk jua dhashë ndaj u përballa”, shkruan avokati. Po në të njëjtin status, avokati thotë se kjo gjë lahet me kokë.
Gazetarët e Fiksit u përballen me avokatin Qehajaj, i cili për t’i intimiduar i cilësoi si gjobëvënës. “Ju vini gjoba dhe mashtroni”, i tha avokati gazetares, kur kjo e fundit i kërkoi shpjegime për mashtrimin që i kishte bërë qytetares, duke i marrë 500 mijë lekë dhe duke mos i depozituar kërkesë padinë.
Në po të njëjtën përballje me gazetaren, avokati tërheq atë që tha, duke thënë që ju nuk vini gjoba, madje bëni më shumë punë se qeveria.
Ndërsa kërcënimet për qytetaren që e denoncoi avokati i bëri me telefon, duke i thënë se kjo gjë që ajo i ka bërë është e barabartë me vrasjen e vëllait. “Unë e di ku e ka shpinë ai plaku, vjehrri jot dhe do shkoj të kujdesem për të”, thotë avokati.
Kur gazetarët i kërkojnë që të përballen për akuzat që ai kishte drejtuar, ai kërcënoi gazetaren: “Ti eja, por mendohu a do kthehesh gjallë” thotë avokati, ndërkohë që pretendon se e bëri çdo gjë në gjaknxehtësi e sipër dhe se askush nuk kërkoi para.
E gjithë historia filloi nga emisioni i mbrëmjes së ditës së hënë, ku një qytetare e denoncoi në Fiks Fare pasi e kishte paguar për një kërkesë padi- divorci, padi që nuk u dorëzua kurrë në gjykatë. Ndërkohë, denoncuesi që jetonte jashtë vendit i kishte thënë se e kishte depozituar, për të mos harruar që kërkesën e kishte firmosur vetë në vend të klientit.
Këto mashtrime të tij u vërtetuan nga emisioni “Fiks Fare”, të cilin për të dalë nga situata, avokati e cilësoi si gjobëvënës, duke vazhduar sagën e mashtrimeve. Mashtrime, të cilat nguroi t’u dilte përballë, por gjeti mënyrën më të lehtë, atë të kërcënimit.
Top Channel