Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja e Lulzim Vishës tre ditë më parë në zonën e Zall Mnerit në Kamëz.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gëzhojat që u gjetën në vendngjarje dhe brenda automjetit të viktikës, përkojnë me armën që u gjet brenda “Porsche” të djegur në Zall Herr.
Po ashtu, rezulton se e njëjta model arme u gjet gjatë kontrollit në banesën e Ervis Lamit. Policia do të marrë ADN e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes dhe në banesën e Lamit për të bërë më pas krahasimin.
I afërmi i Ervis Lamit, Eduart Lami, teksa është marrë në pyetje, pas arrestimit, ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me familjen e viktimës.
“Nuk kemi pasur konflikt me familjen e viktimës. Në dijeninë time nuk kemi pasur asnjë debat apo përplasje. Nuk e di për pjesëtarë të tjerë të familjes nëse kanë pasur konflikte me dy vëllezërit Visha. Por unë personalisht dhe nga ajo çfarë di unë nuk kemi pasur konflikte”-ka deklaruar ai.
Eduart dhe Ervis Lami akuzohen vetëm për armëmbajtje pa leje, megjithëse kontrolli në banesën e Lamit u zhvillua pas dyshimeve se dy kushërinjtë mund të kenë pasur konflikte me familjen Visha.
Ndërkohë hetimet për ngjarjen vijojnë.
Top Channel