Ndotet uji i pijshëm, qytetarët: Tubacionet u çanë nga mjetet që pastruan kanalet vaditëse, ndërhyni!

27/01/2025 12:19

Për rreth 200 familje të fshatit Martinë furnizimi me ujë të pijshëm ka qenë pothuajse i pamundur përgjatë dy muajve të fundit. Në rubinetet e tyre uji ishte i ndotur dhe i pakonsumueshëm.

Banorët shprehen se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e çarjeve në tubacionet ekzistuese, të shkaktuara nga kalimi i mjeteve të rënda gjatë punimeve për pastrimin e kanaleve vaditëse në zonë, një kërkesë e tyre prej kohësh.

“Na duhet të mbushim ujë në autobote, duke e paguar dyfish, si faturat e ujit, ashtu edhe për blerjen e tij, çka rëndon ndjeshëm buxhetin tonë familjar”, thonë qytetarët.

Bahaj, pompisti i depos së ujit të fshatit thotë: “Konfirmon se tubacionet janë riparuar tre herë deri tani, por pa rezultat. Sipas tij, zgjidhja përfundimtare e situatës mbetet vendosja e një magjistrali të ri kryesor”.

Banorët theksojnë se rrjeti aktual i ujësjellësit është ndërtuar 30 vite më parë nga një firmë holandeze dhe tashmë është amortizuar tërësisht. Për ta, investimet për përmirësimin e infrastrukturës së ujit janë një emergjencë e padiskutueshme.

Kjo situatë kërkon vëmendje të menjëhershme nga autoritetet për të siguruar furnizimin me ujë të pastër dhe për të përmirësuar kushtet bazë të jetesës në këtë zonë.

Top Channel