Pas verifikimeve të tij mbi aksidentin e rëndë në Çubrel të Skenderajt që i kushtoi jetën 3 personave, Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për faj të drejtuesit të automjetit të policisë, i cili kanë qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe, dhe ka përplasur automjetin me civilë.

IPK-ja pohoi se sipas hetimeve fillestare, automjeti i forcave të rendit, ka qenë duke lëvizur shumë shpejt por ndërkohë rezulton që edhe të ketë kaluar në korsinë e kundërt të rrugës, duke goditur makinën tjetër. Për këtë arsye, Inspektorati ka rekomanduar pezullimin e policit që drejtonte mjetin e aksidentuar.

5 persona mbetën të plagosur nga përplasja; katër prej tyre policë, si dhe një qytetar nga makina civile. Pas episodit tragjik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i drejtoi qytetarëve një thirrje që të bëjnë kujdes gjatë qarkullimit në rrugë.

“Lajmi për aksidentin rrugor në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë ku humbën jetën 3 persona na jep dhimbje të madhe. Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje të trishtë, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre, e njëkohësisht uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit. Besoj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë mbi këtë ngjarje”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Kryetari i bashkisë së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se në aksident kanë humbur jetën anëtarë të familjes Gashi nga ky qytet, dhe e përshkroi këtë si një moment pikëllimi për të gjithë. Lidhur me ngjarjen e rëndë reagoi edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili u shpreh thellësisht i tronditur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA