“Jam kryetar i bashkisë Rrogozhinë deri në një vendim të formës së prerë”, shkruan Edison Memolla në një reagim në “Facebook”, pasi u dënua me një vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Duke theksuar se mbështet drejtësinë e re, Memolla thotë se do të apelojë vendimin që gjykata e posaçme caktoi ndaj tij.
“Që kur mu besua detyra e përfaqësuesit të popullit tim, kam qenë në dijeni për peshën që do sillte në çdo dimension të sajin.
Drejtësinë e Re e kam mbështetur fuqimisht dhe si rrjedhojë jam i hapur të pranoj çfarëdolloj vendimi të dhënë kundrejt meje, por kjo nuk më pengon të apeloj një vendim i cili nuk është i mbështetur aspak në prova dhe fakte. Theksoj se deri në një vendim të formës së prerë e më tej, unë jam kryetar i bashkisë Rrogozhinë, në krye të detyrës dhe i vetëdijshëm për të gjitha përgjegjësitë që ky post sjell”, shkruan Memolla.
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla u shpall fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje. Po ashtu, atij i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vite.
Fajtor u shpall edhe Blerim Xhamani, që u dënua me një vit burg për korrupsion dhe për falsifikim. Ndërsa, Isuf Tosku u dëua me tetë vite heqje lirie, që pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, iu caktua shërbim prove.
Top Channel