Media prestigjioze “Reuters” i ka kushtuar një artikull emigrantëve afganë të strehuar në Shqipëri, që preken nga urdhri ekzekutiv i presidentit të ri amerikan, Donald Trump.
Qindra afganë, të bllokuar në vende tranziti si Shqipëria, ndodhen në një gjendje pasigurie, pas pezullimit të ndihmës për rivendosjen e refugjatëve nga Trump. “Reuters” thekson se e ardhmja e këtyre njerëzve mbetet e pasigurt, ndërsa thirrjet e tyre për ndihmë janë një kujtesë e nevojës për mbështetje humanitare dhe zgjidhje globale për çështjet e migracionit dhe refugjatëve.
“Reuters” sjell rastet konkrete të emigrantëve të strehuar në Shqipëri, që kishin rezervuar fluturimin për t’u kthyer në vendin e tyre, vetëm pak ditë para se Donald Trump të pezullonte ndihmën shtetërore të nevojshme për të transportuar dhjetëra mijëra afganë, të cilëve u janë dhënë viza.
“Nuk e di nëse do të hipim ndonjëherë në atë avion, dhe nëse po, nëse do të shkoj në Kabul apo në Shtetet e Bashkuara. Nëse kthehemi në Afganistan, do të na vrasin sepse, për talebanët, ne jemi në thelb amerikanë dhe armiqtë e tyre numër një, pasi kemi punuar krah për krah me amerikanët”, tha Amini nga Shëngjini, një qytet bregdetar në veri të Shqipërisë ku ai është strehuar së bashku me 300 bashkatdhetarë”, shkruan agjencia “Reuters”, ndërsa citon një tjetër afgan, që lutet “Zoti Trump, mos na dërgoni te thikat e kasapit në Kabul”.
Ndërkohë, raportet e misionit të OKB-së në Afganistan tregojnë se talebanët kanë arrestuar, torturuar dhe vrarë ish-ushtarë dhe zyrtarë të qeverisë së mëparshme të mbështetur nga SHBA.
Top Channel