Inside Story/ 30 vite gjakmarrje, ngjarja që ndezi konfliktin mes fiseve Reçi-Bardhi

22/01/2025 21:23

Në fillim të viteve 90, qyteti i Rrëshenit, ishte nën dominimin e dy familjeve me influencë në zonë: Reçi dhe Bardhi.

Dy fiset, kishin ngritur reputacionin e tyre përmes forcës dhe traditës. Secila prej tyre njihej për një ndjenjë të thellë kontrolli territorial. Ilir Reçi, në atë kohë 20 vjeç, që njihej si i forti zonës ishte personi që ndezi konfliktin mes dy familjeve. Ai u ndesh me një nga vëllezërit e Martin Bardhit, ku me një ton kërcënues, i tha se asnjë anëtar i fisit Bardhi nuk duhej të vinte në qytetin e Rrëshenit, duke e konsideruar si territor të Reçëve.

“Identifikimin e saktë të autorëve vrasjes, dënimin e tyre sipas ligjit dhe më pas, policia të monitoronte dhe të kishte kujdes të shtuar për familjet që ishin në konflikt, dhe të mos neglizhonte asnjë informacion apo indicie që kishte të bënte me ecurinë e vazhdueshme të këtij konflikti’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.

‘Janë 4 fise që nga vitet 1995 deri në ditët e sotme vazhdojnë një sagë vrasjes së njëpasnjëshme. Janë 4 fise të cilët kanë kryer vrasje të ndërsjellta ndërmjet tyre’ u shpreh avokati Alfred Bari.

Kërcënimi i Ilir Reçit u përhap shpejt në zonë si lajm dhe godiste reputacionin e Bardhëve. Pjetër Bardhi vëllai i madh i familjes, nuk mund ta kalonte lehtë kërcënimin e Reçëve. Ai ndërmerr një udhëtim nga Shkodra ku ishte oficer ushtrie, drejt Rrëshenit, për tu përballur me Ilir Reçin. Pa shkuar fare në banesë, ai ju drejtua qendrës së qytetit. Sapo u përball me Ilir Reçin, pa i thënë asnjë fjalë, e qëlloi me armën e shërbimit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

“Në familje ku ka hasmëri, ku ka gjakmarrje, dashur pa dashur njerëzit dhe anëtarët e këtyre familjeve, rriten me frymën për të pasur kujdes si për veten, edhe për familjen e tyre” u shpreh avokati Alfred Bari.

Pas vrasjes, Pjetër Bardhi u arratis dhe u zhduk nga Rrësheni. Edhe pse u dënua në mungesë, ai kurrë nuk vuajti asnjë ditë burg. Teksa kaluan 28 vite nga ngjarja, dënimi i është parashkruar. Pjetër Bardhi, këto 3 dekada vazhdoi jetën e tij larg Shqipërisë.

“E rëndësishme në parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale ose në ndërprerjen e zinxhirit të gjakmarrjes është fuqia parandaluese nëpërmjet dënimeve të tyre penale’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA