Sherri mes vajzave në Tiranë, policia informacion zyrtar: Dy motrat i shkuan në banesë 26-vjeçares, ajo plagosi njërën me thikë

20/01/2025 17:14

Një sherr ku janë përfshirë disa vajza deri në përdorimin e thikës ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Tiranë.

Policia ka reaguar zyrtarisht duke shpjeguar rrethanat sesi ka ndodhur ngjarja.

Rreth orës 02:34 të mëngjesit, dy motra E. V., 22 vjeçe, dhe Xh. V., 24 vjeçe, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 për kallëzim, për një konflikt që kishin pasur me disa shtetase të tjera në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, por nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi personat e përfshirë apo mjetet e përdorura.

Policia thotë se vajzave u është kërkuar të presin për marrjen e kallëzimit nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, por ato janë larguar nga Komisariati në orën 02:38, pa përfunduar procedurën e kallëzimit.

Më pas motrat kanë shkuar në banesën e shtetases K. C. dhe janë konfliktuar fizikisht. Gjatë këtij konflikti, shtetasja K. C. dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasen E. V., e cila aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Lidhur me rastin u arrestua K. C., 26 vjeçe, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasen Xh. V., 24 vjeçe, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosja” dhe “Dhunimi i banesës”.

“Theksojmë se Komisariati i Policisë Nr. 2 ka ndjekur me përpikëri procedurat ligjore dhe ka qenë i gatshëm për trajtimin e rastit, dhe në asnjë moment nuk u është refuzuar marrja e kallëzimit. Kjo është e dokumentuar edhe me pamjet filmike të Komisariatit të Policisë Nr. 2, që tregojnë veprimet e punonjësve të Policisë dhe të dy shtetaseve dhe kohën e qëndrimit të tyre prej 4 minutash në Komisariat. Pas kësaj, ato janë larguar duke mos përfunduar procedurën e kallëzimit”-njofton policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA