Prej pesë ditësh i zhdukur, ende asnjë gjurmë nga 63-vjeçari! Për herë të fundit po peshkonte në lumin Vjosa, shoku bën denoncimin (Detajet)

20/01/2025 10:15

Pesë ditë pas zhdukjes se 63-vjeçarit Ëngjell Kanani, pranë lumit Vjosa ne afërsi të fshatit Kashisht, nuk ka ende asnjë gjurmë të tij.

Burime nga vendi i ngjarjes thanë se mister mbetet fakti që nuk është gjetur asnjë send personal i tij, si mjetet e peshkimit, çanta apo celulari.

Për më tepër celulari i 63 -vjeçarit ka qenë i hapur deri 24 orë pas zhdukjes së Kananit teksa kishin nisur kërkimet për të.

Familjarët dhe miku i tij 64-vjeçar e kanë telefonuar vazhdimisht në numrin e tij por megjithëse thirrja kryhej nuk përgjigjej askush.

Kërkimet janë shtrirë edhe në kanalin Vjosë – Levan – Fier që lidhet me lumin Vjosa, madje një grup familjarësh po kontrollojnë këtë zonë prej dy ditësh duke iu bashkuar kështu operacionit të kërkimeve nga policia dhe ekipit të polumbarëve.

Megjithatë nga 63-vjeçari nuk ka asnjë gjurmë. Krahas kërkimeve sektori i krimeve ne komisariatin e Fierit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Ëngjell Kanani është baba i dy fëmijëve, bashke me një shokun e tij, të dy me banim ne Berat, prej tre vitesh ushtronin peshkim amator në lumin Vjosa.

Ditën e zhdukjes, të enjten e javës që shkoi, dy shokët janë parë të peshkonin në vende të ndryshme në zonën e Kashishtit.

Miku i tij ka deklaruar në polici, se kishin lënë takim dhe orar për tu takuar por 63-vjeçari nuk erdhi ne vendin ku kishin lënë takim.

Pas disa orësh ku 63-vjeçari nuk përgjigjej në telefon, miku i tij denoncoi zhdukjen e tij. Kërkimet vazhdojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA