Biden firmos për herë të fundit para se të lërë zyrën, zyrtarizon faljen për Faucin dhe gjeneralin që e quajti Trumpin fashist

20/01/2025 13:48

Në orët e fundit në postin e Presidentit, Joe Biden firmosi sot falje për gjeneralin Mark Milley, Dr. Anthony Fauci dhe anëtarët e Kongresit që shërbyen në komitetin që hetoi sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.

Faljet, përfaqësojnë një shfaqje të jashtëzakonshme të fuqisë presidenciale. Ato shërbejnë për të mbrojtur disa nga kritikët më të hapur të presidentit të zgjedhur Donald Trump, duke përfshirë ish-përfaqësuesen republikane Liz Cheney, kundër së cilës Trump ka premtuar hakmarrje.

“Kombit tonë i nevojiten shërbyes publikë të përkushtuar dhe të pashoq çdo ditë. Ata janë zemra e demokracisë sonë. Megjithatë, në mënyrë alarmuese, nëpunësit publikë kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme për kryerjen në mënyrë besnike të detyrave të tyre,” shprehet Biden.

Fauci ka shërbyer si drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive për dekada, duke përfshirë edhe periudhën e shpërthimit të Covid gjatë presidencës së parë të Trump. Ai ka qenë subjekt i sulmeve të ashpra nga e djathta politike. Milley ka shërbyer si kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët gjatë mandatit të parë të Trump dhe ka paralajmëruar se Trump është një fashist.

Biden, në deklaratën e tij, theksoi se faljet nuk nënkuptojnë fajësi.

“Lëshimi i këtyre faljeve nuk duhet të interpretohet si një pranim se ndonjë individ ka kryer ndonjë shkelje, as nuk duhet që pranimi të keqinterpretohet si një pranim i fajit për ndonjë vepër penale. Kombi ynë u detyrohet këtyre nëpunësve publikë mirënjohje përkushtimin e tyre të palodhur ndaj vendit tonë,” shkroi ai.

Më herët këtë muaj, presidenti u tha gazetarëve se një faktor që ndikonte në vendimin e tij ishte nëse Trump do të sinjalizonte ndonjë prej qëllimeve të tij për ndjekjen penale të kundërshtarëve të tij politikë në ditët para inaugurimit të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA