Analiza/ Eduard Zaloshnja: Dy presidentët që ndërruan trajektoren e SHBA së në 100 vjetët e fundit

20/01/2025 18:44

Nga Eduard Zaloshnja

Në fillim të vitit 1932, kur Franklin D. Roosevelt hyri për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë si president i SHBA-së, tabloja e vendit ishte katastrofike. Mbi 25% e amerikanëve që kërkonin punë nuk gjenin dot një vend pune.

Dhjetëra banka e mijëra fabrika kishin falimentuar. Mijëra fermave u kishin mbetur produktet pa shitur. Në arenën ndërkombëtare SHBA-ja ishte mpakur, pas lavdisë së rolit vendimtar që kishte luajtur në Luftën e Parë Botërore dhe në Konferencën e Paqes së Parisit.

Pas 13 vjetëve, kur Franklin D. Roosevelt vdiq në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-ja ishte kthyer në një superfuqi globale. Në tregun e brendshëm kishte vende pune që mezi plotësoheshin nga amerikanët e mbingopur me punë. Fabrikat punonin me kapacitet të plotë 24 orë në ditë. Bankat lulëzonin duke dhënë kredi të reja për biznese të reja. Në politikën e jashtme, SHBA bënte ligjin duke krijuar strukturat e reja ndërkombëtare të pas-luftës, si OKB-ja, FMN-ja, dhe Banka Botërore.

Një ndryshim stratosferik i trajektores së SHBA brenda 13 viteve!

Në fillim të vitit 1981, kur Ronald Reagan hyri për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë si president i SHBA-së, tabloja e vendit ishte depresuese. Stagflacioni (një ndërthurje e stagnacionit ekonomik me inflacionin e lartë) kishte mbërthyer ekonominë amerikane për gryke. Largimi me bisht ndër shalë nga Saigoni i ushtrisë amerikane (pas 60 mijë ushtarëve të vrarë në Vietnam) kishte krijuar psikozën e një superfuqie në degradim. Nga ana tjetër, pushtimi i Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik, avancimi i forcave komuniste në Angola e Nikaragua, dhe revolucioni islamik në Iran po jepnin sinjalin se forca të tjera po mbizotëronin në botë.

8 vjet më vonë, kur Ronald Reagan doli nga Shtëpia e Bardhë, në tregun e brendshëm kishte vende pune që mezi plotësoheshin nga amerikanët e mbingopur me punë. Fabrikat punonin me kapacitet të plotë 24 orë në ditë. Bankat lulëzonin duke dhënë kredi të reja për biznese të reja. Në politikën e jashtme, SHBA bënte ligjin duke e çuar Bashkimin Sovjetik në shpërbërje dhe duke izoluar ishuj anti-amerikanë si Kuba, Nikaragua, Irani, etj.

Praktikisht, ai u largua nga Shtëpia e Bardhë duke e lënë SHBA-në superfuqinë e vetme në botë!

Donald Trump synoi një ndryshim të tillë trajektoreje në mandatin e tij të parë, por u largua me bisht ndër shalë nga Shtëpia e Bardhë. Të shohim nëse do ta realizojë synimin e tij në mandatin e rikthimit…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA