“Një muaj e gjysmë për të marrë një certifikatë në e-Albania”/ Rama “heton” rastin e komentueses: Dokumentin e keni marrë automatikisht

19/01/2025 18:00

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një prej komenteve në postimin e tij në “Facebook” për ndihmësen e re virtuale të e-Albania.

Një zonjë shkruan se ka pritur një muaj e gjysmë për të marrë një certifikatë: “e-Albania, vononi deri në një muaj e gjysmë për të nxjerrë një kod për certifikatë, e kam provuar vetë ndihmësen e re virtuale të e-Albania”.

Por, Rama thotë se ka marrë informacion për rastin e zonjës dhe thotë se e vërteta është ndryshe: “E nderuar zonjë, më bëri përshtypje komenti juaj dhe u interesova pranë e-Albania. Rezulton se ju keni aplikuar katër herë për certifikatë familjare dhe në të katërta rastet e keni marrë automatikisht. Nuk rezulton që të keni aplikuar ndonjëherë për ndonjë shërbim tjetër në e-Albania. Pse e bëni ju këtë, unë s’dua të komentoj, por meqë më jepet rasti nga komentet në postimin e Diellës, e krijuar në laboratorin tonë të Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar me zë dhe figurë qytetarët në shërbimet e e-Albania, po ju informoj: sot ofrohen 1247 shërbime publike përmes e-Albania. 95% e shërbimeve publike, që deri dje nuk merreshin pa pritur në radhë”.

Sipas Ramës, sot kemi 3.2 milionë qytetarë dhe biznese që kanë marrë qoftë dhe një herë të vetme shërbim nga e-Albania.

“e-Albania ka dhënë 45 milionë shërbime, pra 45 milionë qëndrime në radhë, me ato ecejake e bashkishe, janë eliminuar. 15.2 milionë shërbime janë marrë nga e-Albania vetëm në 2024”.

Ndërkohë, Diella e e-Albania, e krijuar nëpërmjet teknologjive inovative, Azure OpenAI dhe modelet më të reja të inteligjencës artificiale nga Microsoft, lehtëson dhe përshpejton marrjen e shërbimit në platformë.
Avatari shfaqet i veshur me një nga kostumet tradicionale më të veçanta shqiptare, atë të zonës së Zadrimës.

Pas logimit në platformën e-Albania dhe shfaqjes së Asistentit Virtual, këtij të fundit mund t’i drejtoheni me një mesazh zanor për shërbimin elektronik që kërkoni të merrni. Asistenti përpunon kërkesën edhe kur qytetari ose biznesi nuk di saktësisht emërtimin e shërbimit, merr informacionin nga institucioni publik dhe jep përgjigjen në çdo moment, 24/7.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA