Policia e Gjirokastrës ka finalizuar fazën e tretë të operacionit “Andromeda” me ekzekutimin e 12 masave të sigurisë për 10 persona në arrest me burg dhe 2 persona në arrest shtëpie.
Të vënët nën akuzë janë 9 persona të moshave nga 22 në 49 vjeç të cilët janë arrestuar për veprën penale ” prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, përkatësisht Herolind Haskaj, Dorian Osmani, Kevin Gega, Bledar Caka, Redon Gjini, Elidon Tocka, Ilia Koçollari, Eno Dulaj, Ervis Çelo.
Korrespondentja e Top Channel Kristina Fidhi raporton se personi i dhjetë i arrestuar ishte 41 vjeçari Thoma Karanxha banues në Gjirokastër, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjithashtu, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për Elvin Norra dhe Mario Feruni përkatësisht 23 dhe 25 vjeç të dy banues në Gjirokastër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, kryer në bashkëpunim.
Në kuadër të të njëjtit operacion AMP, ekzekutoi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” për dy punonjës policie 29 dhe 32 vjeç në PKK Kakavije për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Hetimet për rrjetin e trafikimit të drogës kishin nisur 6 muaj më parë dhe fillimisht në datat 25 Tetor dhe 13 Nëntor policia arrestoi 5 persona të tjerë anëtarë të të njëjtit grup. Operacioni i sotëm e çoi në 17 numrin e personave të akuzuar si pjesë e grupit që kontrollonte shitjen dhe shpërndarjen e drogës në doza të vogla.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat dhe automjetet e këtyre shtetasve, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme parash, lëndë narkotike Cannabis dhe Kokainë, municion luftarak, celularë, automjete, dokumente të falsifikuara dhe mallra kontrabandë.
Besohet se ata kishin krijuar një rrjet të konsoliduar të shitjes dhe shpërndarjes së drogës në mjedise publike, pranë shkollave, bareve por edhe në site turistike. Dyshohet se një pjesë e sasisë së drogës në doza të vogla destinohej për klientë të huaj që vizitojnë Jugun e Shqipërisë si turistë.
Gjithashtu po hetohet nëse pjesë e rrjetit në cilësinë e bashkëpunëtotëve por në role dytësore të jenë edhe persona të tjerë jo vetëm në Gjirokastër por edhe në rrethet fqinje.
Top Channel