TikTok “në dorën” e Trump, kompania kineze shpreson te Presidenti i ri i SHBA-së/ Reagon CEO: Jo censurës arbitrare!

18/01/2025 12:07

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për ndalimin e TikTok-ut në SHBA, drejtuesit e tij duket po i varin shpresat tek mbështetja e Donald Trump për vijimësinë e përdorimit në vend të aplikacionit në pronësi kineze.

Në një videomesazh të postuar në këtë platformë, shefi ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew, falënderoi Presidentin e zgjedhur Trump për mbështetjen.

“Në emër të të gjithëve ne në TikTok dhe të gjithë përdoruesve tanë në mbarë vendin dua të falënderoj Presidentin Trump për angazhimin e tij për të punuar me ne për të gjetur një zgjidhje që e lejon TikTok të mbetet i disponueshëm në Shtetet e Bashkuara”, tha Chew.

“Ky është një qëndrim i forte në favor të Amendamentit të Parë dhe kundër censurës arbitrare. Ne jemi mirënjohës dhe të kënaqur që kemi mbështetjen e një presidenti i cili e kupton me të vërtetë platformën tonë – e që e ka përdorur dhe vetë TikTok për të shprehur mendimet dhe perspektivat e tij, duke u lidhur me botën dhe duke gjeneruar më shumë se 60 miliardë klikime me mesazhet e tij”, theksoi CEO i aplikacionit.

Gjykata e Lartë mbështeti të premten unanimisht ligjin federal që ndalon rrjetin TikTok në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga e diela, nëse nuk shitet nga kompania e saj mëmë me seli në Kinë.

Gjykata vlerëson se rreziku për sigurinë kombëtare që vjen nga lidhjet e rrjetit TikTok me Kinën, i kapërcen shqetësimet për kufizimin e lirisë së shprehjes për 170 milionë përdoruesit e këtij aplikacioni në Shtetet e Bashkuara.

Trump reagoi ndaj lëvizjes së Gjykatës që mbështeti ndalimin e TikTok nëse kompania mëmë ByteDance, me bazë në Kinë, nuk e shet platformën deri të dielën e theksoi për CNN, se vendimi përfundimtar për ndalimin e aplikacionit do të jetë në dorën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA