Dy gjykatës të njohur të Gjykatës Supreme të Iranit janë vrarë në një sulm në selinë e kësaj gjykate, thanë zyrtarët.
Viktimat janë identifikuar si Ali Razini dhe Mohammad Moghiseh. Një gjykatës tjetër po ashtu është plagosur gjatë sulmit që ndodhi në Pallatin e Drejtësisë në Teheran.
Zyra për media e gjyqësorit të Iranit raportoi se një person i armatosur ishte “infiltruar në Gjykatën Supreme në një akt të planifikuar për vrasjen e dy gjykatësve.
Motivi i sulmit ende nuk është i qartë.
Hetimi fillestar gjeti se sulmuesi nuk kishte ndonjë rast gjyqësor para kësaj gjykate dhe as lidhje të tjera, tha zyra për media e gjyqësorit iranian.
Gjykata Supreme është autoriteti më i lartë gjyqësor në Iran dhe kreu i saj emërohet nga lideri suprem. Selinë e ka në Teheran dhe degë ka në mbarë vendin.
Detajet e incidentit mbeten të paqarta. Zyra për media e gjyqësorit raportoi se sulmuesi “u vetëvra” pas të shtënave, edhe pse ky informacion nuk është konfirmuar.
Mediat tjera iraniane kanë raportuar se sulmuesi ishte anëtar i një “force infiltruese të sigurisë”, i cili fillimisht kishte plagosur me thikë një roje, ai kishte marrë armën dhe më pas kishte kryer vrasjet.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr, duke cituar burime, raportoi se gjyqtarët u sulmuan me armë zjarri para se sulmuesi të bënte vetëvrasje.
Dy viktimat kishin poste të rëndësishme në sistemin e fuqishëm gjyqësor të Iranit. Gjykatësi Mohammad Moghiseh kishte gjykuar disa raste politike, përfshirë rastet që përfshinin mbështetësit e Lëvizjes opozitare të Gjelbër më 2009. Ai ishte nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për shkelje të të drejtave të njeriut.
Gjykatësi Ali Razini kishte mbajtur shumë poste të larta dhe ishte akuzuar nga opozita në Iran se ishte përfshirë në një sërë vrasjes pa gjyq të të burgosurve politikë më 1988. /rel
Top Channel