Rusia vulos paktin me Iranin, bashkëpunim i ngushtë mes dy shteteve për 20 vite

18/01/2025 12:24

Rusia dhe Irani, dy vende të përballura me sanksione të rrepta ndërkombëtare, po bashkojnë forcat përmes një marrëveshjeje për një bashkëpunim më të ngushtë për 20 vitet e ardhshme, që përfshin edhe fushën ushtarake.

Gjatë vizitës së tij në Moskë, presidenti iranian Masud Peseshkian firmosi së bashku me homologun rus Vladimir Putin një ujdi partneriteti strategjik me presidentin rus, ceremoni e cila u transmetua live nga televizioni shtetëror iranian.

Ekspertët e konsiderojnë bashkëpunimin edhe si një përgjigje ndaj izolimit politik në rritje të të dy vendeve, i cili është shtuar ndjeshëm që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

Sanksionet e rrepta ndërkombëtare përbëjnë një barrë të rëndë për ekonomitë dhe sistemet financiare të Moskës dhe të Teheranit.

Sipas njoftimeve të mediave marrëveshja prej 47 pikash përfshin bashkëpunimin në fusha të tilla si ushtria, politika, tregtia, kërkimi, arsimi dhe kultura. Pakti Rusi-Iran vjen në një kohë trazirash politike në Lindjen e Mesme dhe pak para ceremonisë së fillimit nga detyra të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Mediat e huaja raportojnë se në fakt, për marrëveshjen ka pasur prej vitesh negociata tepër të fshehta. Publike janë bërë faktikisht vetëm disa detaje të saj.

Sipas një versioni të marrëveshjes të publikuar nga media shtetërore iraniane të dyja vendet duan të zgjerojnë ndër të tjera  bashkëpunimin midis shërbimeve të tyre sekrete dhe institucioneve të sigurisë.

Në fushën e mbrojtjes, Moska dhe Teherani riafirmojnë angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ushtarako-teknik. Një tjetër nen i marrëveshjes parashikon bashkëpunim në fushën e “rendit publik”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA