4 vite më parë, nga një udhëtim i zakonshëm drejt Shqipërisë; Darya Daineka mori vendimin që të krijonte në vendin e shqiponjave shtëpinë e saj të re.
“Kemi ardhur me shoqet në kohën e koronavirusit, më pëlqeu shumë Shqipëria, është pak si familje e madhe, nuk e ndjej që jam turiste… e vendosa të jetoj këtu”, shprehet Darya Daineka- blogere.
24 vjeçarja bjelloruse ndërpreu studimet e larta në programin e mjekësisë dhe tashmë shëtit rreth e qark Shqipërisë. Ajo i është përkushtuar punës si blogere për prezantimin e bukurive natyrore këtu si dhe duke shpalosur veçoritë e shqiptarëve, mbi të gjitha mikpritjen e njerëzit miqësorë.
‘Në Bjellorusi s’ka as det as pamje të bukura, njerëzit janë si të mërzitur se vetëm punojnë. Unë më parë isha në Universitetin e Mjekësisë, e lashë para katër vitesh sepse doja të vija në Shqipëri. Shpresoj ta vazhdoj këtu universitetin, por pasioni im është fotografia, rrjetet sociale, të bëj video, të tregoj për njerëzit si është Shqipëria në fakt, gjithë bukuritë e Shqipërisë”, shton ajo.
E dashuruar sidomos me qytetet bregdetare shqiptare, Darya vë re në mediat e saj sociale shtimin e kuriozitetit të të huajve për Shqipërinë; teksa është vlerësuar si një e re që frymëzon.
“Gjirokastra më pëlqen shumë dhe Vlora është qyteti im i preferuar sepse ka pamje shumë të bukur, por unë jetoj në Tiranë. Nuk e dija që do bëhesha virale, por kur postoj video më shkruajnë njerëzit nga e gjithë bota. Unë kam disa rrjete në shqip, anglisht dhe rusisht e në të gjitha prezantoj Shqipërinë”, përfundon blogerja.
Top Channel