Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës nominohen për Çmimin Nobel për Paqe!

17/01/2025 10:46

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Nominimin e ka bërë deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, i cili në letrën dërguar Komitetit të Institutit norvegjez të Nobelit, ka thënë se këtë vendim e ka ndërmarrë për të njohur “kontributet e jashtëzakonshme” të Rushitit dhe QKRMT-së “në avancimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit të të mbijetuarve dhe shërimit të plagëve të luftës të komuniteteve”.

“Çmimi Nobel për Paqe synon të vlerësojë individët, puna e së cilëve nxit paqen, drejtësinë dhe pajtimin. Feride Rushiti dhe QKRM-ja i mishërojnë këto ideale përmes përkushtimit të tyre të përjetshëm për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm, duke shëruar plagët e konfliktit dhe duke ndërtuar një bazë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe përtej”, shkroi ai.

Pas publikimit të letrës nga deputeti suedez, Rushiti tha se është e nderuar dhe shprehu mirënjohje për këtë nominim.

“Ky moment është një arritje e madhe për mua, ekipin e jashtëzakonshëm të QKRMT-së, dhe mbi të gjitha, për të mbijetuarit që kemi privilegjin t’u shërbejmë tash e 25 vjet”, shkroi ajo në Facebook.

Nominimi, tha Rushiti, tha se është frymëzim për përpjekjet kolektive, “duke avokuar globalisht dhe ndarë praktikat e mira të Kosovës, për të trajtuar këtë plagë të rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit”.

Në letrën drejtuar Institutit norvegjez të Nobelit, Jacobsson tha se Rushiti ia ka dedikuar karrierën e saj adresimit të efekteve shkatërruese të torturës, dhunës seksuale dhe mizorive të tjera të luftës.

QKRM-ja, sipas tij, ka ofruar ndihmë kritike mjekësore, psikologjike dhe mbështetje ligjore për mijëra të mbijetuar “duke u siguruar që zërat e tyre të dëgjohen dhe nevojat e tyre të përmbushen”.

“Avokimi novator i Rushitit në njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës ka transformuar diskursin kombëtar në Kosovë. Përpjekjet e saj të pareshtura kanë çuar në krijimin e kornizës ligjore në njohjen e këtyre të mbijetuarve si viktima civile të luftës, duke iu mundësuar atyre qasje në reparacione. Kjo arritje historike, e arritur më 2017, ka sjell dinjitet dhe mbështetje financiare për shumë të mbijetuar dhe është shpresë për drejtësinë e pasluftës në mbarë botën”.

Ai po ashtu tha se Rushiti, përveç punës së saj me të mbijetuarit e dhunës seksuale, ka arritje të mëdha edhe në trajtimin e të burgosurve dhe të ndaluarve, duke avancuar standardet ligjore dhe etike në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Më 2018, Rushiti, që udhëheq QKRM-të, ishte nderuar me Çmimin për Guximin e Gruas, të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit. Çmimi iu dha për të nderuar ndikimin e punës së saj në jetën e të mbijetuarve dhe për rolin e saj si udhëheqëse në botë për avokimin për të drejtat e njeriut.

Feride Rushiti ka themeluar QKRM-në më 1999 me misionin për të ofruar trajtim dhe rehabilitim për viktimat e torturës në Kosovë. Kjo qendër po ashtu promovon respektimin e të drejtave të njeriut për të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë dhe të parandalimit dhe çrrënjosjen e torturës dhe të gjitha formave të keqtrajtimit.

Ndryshe, deputeti suedez Magnus Jacobsson, më 2020 kishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe Kosovën, Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara lidhur me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë çmim, më 1996 ishte nominuar edhe presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Ndërkaq, më 2013, u nominuan udhëheqësit e Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Kush mund të bëjë nominime për Çmimin Nobel për Paqe?
Sipas statutit të Fondacionit të Nobelit, nominimin për Çmimin për Paqe mund ta bëjnë anëtarë të parlamenteve dhe qeverive kombëtare të shteteve sovrane dhe presidentët, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë.

Po ashtu, nominime mund të bëjnë edhe anëtarët e institutit Ndërkombëtar de Droit, profesorë universitarë, laureatë të Çmimit Nobel për Paqe, anëtarët aktual të Komitetit norvegjez të Nobelit dhe ish-këshilltarët e këtij Komiteti.

Më pas, Komiteti bënë përzgjedhjen e kandidatëve të kualifikuar dhe zgjedh fituesin.

Ky çmim ndahet çdo vit në muajin dhjetor./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA