Një dritare për të informuar dhe për të komunikuar me qytetarët, e cilëson kryeministri Edi Rama rubrikën “Sy m’sy” që ka nisur në “Facebook”, por edhe rrjetet sociale në tërësi.
Kreu i qeverisë iu përgjigj komentit të një përdoruesi të “Facebook”, që thotë se “kryeministri ka detyra të tjera, në vend që të rrijë kaq shumë para ekranit”.
“Mirëmëngjes, u bëre bozë çdo ditë para ekranit. Mesa dimë, një kryeministër, ka punë dhe detyra nga ta nisë ditën e re. Nejse, për qytetari po ju dëgjojmë, jo se do na shuani kureshtjen për të rejat që do të thoni. E kemi nisur punën dhe ditën e re që në orën 5 të mëngjesit”, ishte komenti i qytetarit.
“I dashur Keli, puna ime është të udhëheq, duke lexuar, punuar, analizuar, diskutuar, vendosur, mbikqyrur, koordinuar, harmonizuar dhe informuar. Edhe këto dritare të reja që kam hapur këtu janë për të debatuar, sikurse po bëjmë bashkë dhe për të informuar, sikurse bëra për marrëveshjen e djeshme në Abu Dhabi, që dhe ti e komentove. Unë them që dita nis me ty. Nis me ty, sepse sa hap sytë, mendoj se çfarë do bëj sot, me mandatin që më është dhënë, për vendin tënd dhe timin, për njerëzit e këtij vendi”, u përgjigj Rama.
Më tej, kreu i qeverisë u shpreh se “nuk le pa bërë, asnjë nga detyrat që i takojnë”.
“Në të gjitha punët e mia, asnjëherë nuk rri pa mendje dhe asnjërën nuk le pa bërë. Dhe këto videot, janë një grusht minutash, ndërkohë që dita ime nis sa gdhihet dhe mbaron pas mesnate. Këto dritare i kam hapur, që kush më ndjek këtu, ta dijë çfarë bëjmë. Kanë shumë rëndësi për njerëzit, por nuk kanë rëndësi për kanalet dhe portalet që janë shumë të zënë me ato gjyqet popullore, me gjysmë të vërtetat, që ndonjëherë janë gënjeshtrat më të mëdha”.
Në fund, u shpreh se çdokush është i lirë ta ndjekë ose në llogarinë e tij në “Facebook” apo në rrjetet e tjera sociale.
Top Channel