New York Times reagoi me një shkrim të gjatë ndaj vendimit të qeverisë shqiptare për ta shpallur “investim strategjik” projektin e Jared Kushner në ishullin e Sazanit.
Plani i sipërmarrësit të njohur amerikan, dhëndri i presidentit të zgjedhur Donald Trump, u bë publik 9 muaj më parë dhe në fund të dhjetorit, Komiteti i investimeve strategjike në Shqipëri, i dha atij statusin e investitorit strategjik, përmes kompanisë “Atlantic Incubation Partners” LLC.
Drita jeshile e Komitetit të Investimeve Strategjike i jep Kushnerit dhe partnerëve të tij të biznesit të drejtën për të vazhduar negociatat e përshpejtuara për ndërtimin e resortit luksoz në ishullin me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, që është përdorur vetëm si bazë ushtarake.
New York Times shkruan se drita jeshile e Shqipërisë për projektin vjen ndërkohë kur Trump përgatitet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Kushner dhe ekzekutivi shqiptar nuk iu përgjigjën kërkesës së gazetës për koment, megjithatë artikulli kujton sesi të pyetur më parë lidhur me projektin në fjalë, të dyja palët kanë nënvizuar se vlerësimi për këtë nismë nuk ka asnjë lloj ndikimi nga lidhjet e biznesmenit me Trumpin apo me ndonjë përpjekje për favore nga qeveria e SHBA.
“Fakti që një sipërmarrës kaq i njohur amerikan tregon interesin e tij për të investuar në Shqipëri, na bën shumë krenarë dhe të lumtur”, citon gazeta e njohur përgjigjen që një zëdhënës i kryeministrit Rama dha vitin që shkoi për New York Times.
Qeveria shqiptare e kishte dhënë paraprakisht OK-in për ndërtimin e kompleksit luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në bazën e braktisur ushtarake pranë bregdetit të Shqipërisë, vazhdon shkrimi, që nënvizon se ky është një nga disa projekte ku përfshihen Trump dhe familja e tij, që lidhen drejtpërdrejt me entitete qeveritare të huaja dhe që do të ecin avancojnë, pavarësisht se republikani do të jetë tashmë përgjegjës për politikën e jashtme në lidhje me këto vende.
Firma e Kushner-it, Affinity Partners, një kompani private investimesh e mbështetur kryesisht nga 4.6 miliardë dollarë fonde sovrane nga Arabia Saudite dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, po ndjek projektin në Shqipëri së bashku me Asher Abehsera, një ekzekutiv i pasurive të paluajtshme me të cilin Kushner ka bashkëpunuar më parë për projekte në Brooklyn, Nju Jork.
Qeveria shqiptare, sipas një dokumenti zyrtar të postuar së fundmi online, do të punojë tani me partnerët amerikanë për të pastruar zonën e hotelit të propozuar nga municione të mundshme dhe për të shqyrtuar çdo shqetësim tjetër mjedisor ose ligjor që duhet zgjidhur para se projekti të vazhdojë.
Dokumenti, i datës 30 dhjetor 2024, vëren megjithatë se qeveria “ka të drejtë të revokojë vendimin,” në varësi të negociatave përfundimtare të projektit.
Top Channel