Personi në foto është Xhemal Meta, i cili u gjet i pajetë dy ditë më parë në Zall Bastar, por rezultoi se ishte vrarë.
81-vjeçari u gjet pa shenja jete mëngjesin e 13 janarit në oborrin e banesës në fshatin Shëngjin i Vogël në periferi të Tiranës.
Ekzaminimet mjekësore nga trupi i viktimës dolën në përfundimin se i moshuari, ishte goditur me sende të forta në pjesën e pasme të kokës që i kishin shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Dyshimet e policisë janë për tentativë grabitje, por nga ana e grupit hetimor është duke u vlerësuar edhe për konflikt me ndonjë banor të zonës.
Lidhur me ngjarjen janë marrë në pyetje 20 banorë të fshatit në policinë e Tiranës, të cilët janë pyetur nëse mund të kenë dijeni.
81-vjeçari jetonte i vetëm në fshat, ndërsa familjarët e tij jetojnë në kryeqytet. Këta të fundit kanë deklaruar se i moshuari nuk kishte konflikte me askënd.
Policia thotë se vijon puna për zbulimin e autorit, ndërsa materialet në prokurori janë referuar për veprën penale “Vrasje me dashje”.
Top Channel