Prokuroria e Kosovës ngriti sot akuzën zyrtare për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor 2023, vrasje e organizuar nga bashkëshorti i saj Naim Murseli.
Vëllai i së ndjerës ka deklaruar se pret që autorët e kësaj ngjarjeje të marrin dënimin e merituar, ndërsa shton se fëmijët e saj janë në gjendje shumë të rënduar, pasi tashmë e kanë kuptuar të gjithë atë që ka ndodhur.
“Faleminderit shumë që keni ardh. E mirëpresim ngritjen e aktakuzës dhe presim dënim kapital prej Gjykatës. Fëmijët janë në gjendje të rëndë sepse tashmë e kanë kuptuar gjithë çka ka ndodhur”, u shpreh ai.
Ndërkohë në fund të seancës Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre personave të tjerë për vrasjen e Liridona Ademaj.
Korrespondentja e Top Channel Leonita Bajrami bën me dije se aktakuzë është ngritur ndaj Kushtrim Kokallës, Granit Plavës dhe një personi të cilit nuk ja kanë bërë të ditur emrin prokurorja e rastit.
“Sa i përket cilësimit juridik kjo vepër penale është vepra penale e vrasjes së rëndë e kryer nga anëtari i familjes e kryer në mënyrë dinake dhe presim nga gjykata një dënim kapital për këtë kryes sepse konsiderojmë që kemi grumbulluar prova të mjaftueshme”, ka thënë kryeprokurori i themelores në Prishtinë.
Ndërkohë për një nga motivet e vrasjes së Liridona Ademaj, ka folur prokurorja e rastit, Javorka Prelinqeviç.
“Për detajet e aktakuzës nuk mund të flasim. Përderisa kanë jetuar në Suedi kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara dhe kanë pasur çështje edhe financiare”, ka thënë ajo.
Prokurorja ka bërë të ditur po ashtu që nga Suedia, ku kishin jetuar Liridona Ademaj dhe Naim Murseli, kanë kërkuar informacione lidhur me jetën e tyre atje dhe këto e mbështesin një prej motiveve që sipas prokurores është financiar.
Prokurorja ka shtuar po ashtu se nga të pandehurit ka pasur kërkesa për pranim të fajësisë , por në këtë rast kanë konsideruar se rasti është i rëndë dhe duhet të shkojë në gjykim.
Top Channel