Si i rendisin qytetarët problemet e qeverisjes/ Sondazhi i Institutit Republikan Amerikan: Pensionet, ekonomia, emigrimi dhe korrupsioni

14/01/2025 19:36

Në anketën e publikuar nga Qendra e Institutit Ndërkombëtar Republikan del se më pak se gjysma e të anketuarve (49%) janë të kënaqur me mënyrën si po zhvillohet demokracia në vend, ndërsa gjysma tjetër shprehen të pakënaqur dhe shumë të pakënaqur.

Sipas sondazhit qytetarët si probleme të qeverisë rendisin pensionet, ekonominë, emigrimin dhe korrupsionin.

Pjesa dërrmuese e qytetarëve të anketuar besojnë se demokracia është forma më e mirë e mundshme e qeverisjes së vendit.

Por vetëm një e treta e tyre mendojnë se vendi po qeveriset në interes të shumicës së popullatës, ndërsa afërsisht dy të tretat (62%) shprehen se qeverisja punon për interesat e disa grupeve.

Ky perceptim është më shumë i përhapur tek të anketuarit nga 18 deri 35 vjeçarë (72%), por kjo është një përgjigje e qëndrueshme edhe në moshat e tjera nga 36 deri mbi 56 vjeç e lart (59%).

Të pyetur nëse të rinjtë e sotëm kanë një të ardhme të mirë në Shqipëri, më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar (57%) përgjigjen negativisht, kundrejt 40 për qind të atyre që shprehen pro një të ardhmeje të mirë.

Nga ana tjetër, korrupsioni mbetet një ndër shqetësimet kryesore në Shqipëri, teksa 71 për qind e të anketuarve e cilësojnë këtë dukuri si një problem serioz.

Pjesa më e madhe besojnë që korrupsioni është më i përhapur në shërbimet publike si doktorët, mësuesit dhe policët, e më pas ata renditin kryeministrin me kabinetin qeveritar, drejtësinë, drejtuesit e partive politike e të biznesit si dhe zyrtarët vendorë.

Pjesa më e madhe të anketuarve shprehen se problemet më të rëndësishme që përballet vendi aktualisht janë ekonomia me çmimet e larta dhe kostot e jetesës, papunësia dhe korrupsioni, pasuar nga shëndetësia, kriminaliteti dhe migrimi.

Krahasuar me një vit më parë, shqetësimi për ekonominë ka rënë me 11 pikë, por shqetësimi për korrupsionin është rritur me 2 pikë.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve pohuan që nëse zgjedhjet mbahen sot, çështjet përcaktuese për votën e tyre janë pensionet, ekonomia dhe antikorrupsioni.

Qytetarët e anketuar mendojnë se përparësitë kryesore që qeveria duhet të trajtojë janë ekonomia, pagat dhe pensionet, punësimi, shëndetësia dhe lufta kundër korrupsionit.

Sondazhi

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA