Konfliktet e divorcit, psikologët: Terapia në çift ndihmon për të ulur agresivitetin, procesi…

14/01/2025 12:24

Divorci mes një cifti është një proces i vështirë që sjell pasoja si brenda familjes, ashtu dhe në shoqëri.

Nuk janë të pakta rastet kur marrëdhënia në çift ka përfunduar me akte dhune, që kanë arritur deri në përdorimin e armëve. Por kjo lloj sjellje gjatë procesit të divorcit, sipas psikologes Eksena Qiriçi, tregon dy element kryesor për shoqërinë tonë, në mënyrën se si e konceptojmë dhe si e përfundojmë martesën.

“Në përgjithësi ne martesën e konceptojmë si dikush varet nga dikush tjetër pra nuk e shohim si një marrëdhënie të përbashkët, që të dy marrin vendime në këtë lloj procesi. Por element tjetër shumë i rëndësishëm është edhe fakti që divorci emocional dhe psikologjik ndodh përpara divorcit real. Ne nuk e komunikojmë diçka që nuk shkon në martesë. Grindemi për të, zihemi për të, krijojmë inate dhe pikërisht këto inate në fund të këtij lloj procesi shkarkojnë në formën e dhunës dhe vrasjes duke mos pranuar që ky proces ka përfunduar”, tha Eksena Qiriçi-psikologe klinike.

Psikologja shpjegon se terapia në çift ndihmon për të kuptuar problematikat brenda një martese, çka rrjedhimisht përmes komunikimit, do të ulte agresivitetin mes dy palëve. Por kjo metodë ende nuk është përqafuar gjerësisht nga shoqëria shqiptare.

“Në kontekstin profesional nuk kemi arritur ende që të themi që çiftet përpara se të kryejnë procesin e divorcit, të kuptojnë konfliktet apo çfarë nuk ka shkuar në këtë marrëdhënie, nuk e themi dot këtë gjë në kulturën tonë. Do të ndihmonte shumë për të ulur dozën e këtij inati, zemërimi, që prodhohet ndër vite dhe mos të kemi pasoja agresive ose dhune ose vrasje”, tha Eksena Qiriçi-psikologe klinike.

Fatkeqësisht janë të shumta rastet në vendin tonë, kur dhuna ndaj partnereve kryesisht gra ka vijuar jo vetëm gjatë martesës por edhe pas përfundimit të saj. Gjithnjë e më shumë rriten denoncimet ashtu si dhe kërkesat për urdhër mbrojtjeje.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA