Nis fushata zgjedhore në Kosovë/ Të drejtën e votës e kanë 2 milionë shtetas, 104 mijë janë në diasporë

12/01/2025 13:02

Partitë politike në Kosovë, të shtunën nisën fushatën zgjedhore për parlamentaret e 9 shkurtit.

Kryeministri aktual, Albin Kurti kërkoi edhe një mandat të dytë siç tha ai të siguruar me 500 mijë vota.

Në tubimin e parë të fushatës që e nisi në Gjakovë, Kurti sulmoi kundërshtarët politikë, duke thënë që në vend janë dy parti që kanë keqqeverisur.

“Njëra prej këtyre partive, LDK-ja, është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë ‘Razumem’, e partia tjetër PDK-ja është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë ‘We are not problematic guys’. Por, koalicioni jonë Vetëvendosje!, Guxo dhe Alternativa i thotë atij ashtu siç është ministër i Millosheviqit”, thotë Kurti

Kryeministri aktual premtoi edhe më shumë investime në sektorë të ndryshëm krahas mbështetjes për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ndërkohë, zhvillimi ekonomik, rritja e pagave dhe mirëqenia e qytetarëve të Kosovës qenë premtimet në ditën e parë të fushatës nga Bedri Hamza, kandidatit për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës.

Bedri Hamza, kandidat për kryeministër i Partia Demokratike e Kosovës tha: “Vizioni im për një Kosovë më të fuqishme ka në themel hapjen e vendeve të reja të punës, ka edhe rritjen e pagave në sektorin privat përmes rritjes së mbështetjes për biznese”.

Me ndryshimin si mision, Lidhja Demokratike e Kosovës e hapi fushatën zgjedhore. Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku nuk u rezervua në kritikat për qeverisjen në shkruaje.

Kandidat për kryeministër i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku u shpreh: “Le tu themi qartë, le tu themi thjeshtë, le tu themi zëshëm nga kjo sallë, nëpër çdo cep të Kosovës, le tu themi cep më cep, paratë e vjedhura do t’i ktheni cent më cent”.

Koalicioni AAK-NISMA ditë e parë të fushatës e nisi me homazhe pranë varrezave të familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt.

Kandidati për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj u shpreh se pikënisja për çdo gjë është Prekazi.

“Prekazi është betimi ynë për shtet e atdhe, për liri e për demokraci, prej këtu nisemi drejt parlamentit të Kosovës”, tha Haradinaj.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA