Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka quajtur nismë elektorale vendimin për uljen e çmimit të energjisë elektrike nga qeveria.
Në një konferencë për mediat, ai tha se Rama e ka marrë pushtetin kur çmimi i energjisë ishte më i ulët edhe se sa është tani që u bë ulja për një vit.
“Rama e mori çmimin me 77 lekë, e çoi në 95 lekë dhe tani e uli në 85 lekë. Pse kjo është zbritje? Ndërmarrja publike është e detyruar ta ulë çmimin e energjisë në proporcion me pakësimin e humbjeve. Energjia është çmim i rregulluar, nuk është çmim i lirë. Nëse ul humbjet, do e shesësh më lirë. Këtu janë investuar miliarda. Këta pretendojnë se uljet janë reduktuar në mënyrë të ndjeshme dhe e ulin për një vit çmimin. Kjo është një ulje tipike elektorale, në shkelje të çdo kodi, në përpjekje për të grabitur votat”, tha Berisha.
Sipas tij “PD ka planin e saj për çmimin e energjisë dhe ky projekt konsiston në atë që çmimin 7 lekë për kv/h për 300 kv/h e parë, çmimi i dytë 100 lekë për 400 kv/h të tjera. Mbi to, do të ketë një çmim të tretë për ata që jetojnë në luks dhe kanë tualete me florinj, do kenë një çmim 1000 lekë kv/h, ndërsa biznesi do zbresë aty ku ka qenë në 60 lekë kv/h”.
Top Channel