Rriten pensionet e veteranëve, qeveria e Kosovës lajmëron se rritja do të jetë 20% për të gjitha kategoritë

10/01/2025 14:39

Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar vendimin për rritjen e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta.

Ministri i Financave, Hekuran Murati njoftoi se rritja do të bëhet 20% për të gjitha kategoritë.

“Bëhet fjalë për pensionet për familjet e dëshmorëve të UҪK-së, pensionet për familjet e të zhdukurve të UCK-së, pensionet invalidore për invalidët e UҪK-së, shtesa për përkujdesje dhe ndihmë për invalidin e UҪK-së me dëmtim trupor 80%, pensionet familjare pas vdekjes së invalidit të UҪK-së, pensionet familjare për viktimat civile, pensionet për familjet e të zhdukurve civil si dhe pensionet invalidore për invalidët civil, shtesa për përkujdesje për invalidët civilë me dëmtim trupor mbi 80% si dhe e drejta në pensionin familjar pas vdekjes së invalidit civil pas luftës. Si dhe kategoria e veteranëve dhe viktimat e dhunës seksuale”, shprehet Hekuran Murati, ministër i Financave.

Sipas Ministrit të Financave, mbi 20% do të jetë rritja për të gjitha kategoritë por që kanë më shumë se një anëtar të prekur nga lufta.

“Familja që ka dhënë një dëshmor, ka qenë pensioni 448 euro e 13 cent do të bëhet 537 euro e 76 cent, familja që ka dhënë dy dëshmorë ka qenë 537 euro e 75 cent do të bëhet 806 euro e 63 cent, familja që ka dhënë tre dëshmorë ka qenë 582 euro e 57 cent do të bëhet 1075 euro e 51 cent”, shton më tej ministri.

Ministri Murati ka mohuar se vendimet e tilla për rritje të pensioneve e pagave po bëhen për fushatë zgjedhore.

“Ka qëlluar që zgjedhjet të mbahen në muajin shkurt, po të ishin mbajtur në ndonjë muaj tjetër, përsëri do ta kishim këtë cikël apo këtë sekuencë të ngjarjeve”, përfundon ai.

Nga 1 janari i vitit 2025 janë rritur edhe pagat në sektorin publik.

Fushata zgjedhore në Kosovë nis më 11 janar e zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do mbahen me 9 shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA