Disa ditë para se të bëhen të njohura emrat për kandidaturën e presidentit të ri të Greqisë nga partitë e ndryshme politike, një propozim i papritur vjen nga kreu i partisë së djathtë fetare “Niki”, Dhimitris Natsios.
Ai duke e cilësuar si lojë të “mjerë” procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ku siç tha ai, të majtët votojnë një kandidat të djathtë, ose të djathtët një të majtë, ka propozuar si emër nga partia e tij, kandidatin vorioepiriot siç e ka quajtur, Kostas Kyriakou, Kosta Qirjakon, pasi sipas argumenteve që dha “respekton dhe e do atdheun”.
Në deklaratën për shtyp që ka publikuar kjo parti thuhet tekstualisht se: Qëndrimi i z. Kyriakou në këtë pozicion të veçantë është edhe simbolik dhe thelbësor. Simbolik, sepse në personin e tij ne nderojmë motrën tonë të dashur Vorio Epirin dhe Helenizmin Vorio-Epirot, me mijëra të torturuar vorioepirotë, minoritetin etnik të njohur zyrtarisht, por të harruar nga shteti grek.
Emri i Kosta Qirjakos është mjaft i njohur edhe në Greqi qysh prej gjyqit të të pestëve të Omonias në shtator të 1994, kur gjykata e rrethit Tiranë, me vendimin nr.682, deklaroi atë si dhe Theodhori Bezhanin (kryetar i “Omonias”), Vangjel Papakriston (sekretar i përgjithshëm i saj), Panajot Marton dhe Irakli Sirmon, fajtorë për akuzat e tradhtisë ndaj atdheut, spiunazh dhe armëmbajtje pa leje dhe u dha dënime nga 6-8 vjet heqje lirie.
Partia ultra e djathtë ka publikuat edhe një biografi të tij , ku ndër të tjera theksohen: Dënimi dhe burgimi në burgun e Spaçit, persekutimi nga Sigurimi në 1990, zgjedhja e tij si kryeplak , ndalimi nga policia e Gjirokastrës në 1993, e deri tek gjyqi famëkeq i të 5-ve të “Omonoias” ku thuhet se “dënimi u bë me akuza të sajuara, siç pranoi në vitin 2005 kryeministri i atëhershëm Sali Berisha”.
Ai ka qenë edhe kandidat për eurodeputet në zgjedhjet në Parlamentin Evropian.
I diplomuar për drejtësi në Universitetin e Athinës dhe është anëtar i Odës së Avokatëve të Athinës.
Ka shkruar disa libra, thuhet të gjitha për jetën e vorioepiriotëve:
“I burgosuri i lirë” 1997
“Në shtigjet e ferrit” 2000
“Heronjtë e harruar” 2000
“Gjyqi i të 5-ve“ 2006
“Përgënjeshtrimi” 2010
“Në xhunglën e Enverit” 2011
“Enver Hoxha -Kasapi në tokën e Pirros” 2014
“Tradhti dhe Vetëflijim” 2017
“Tragjedia e përjetshme e Vorio Epirit” 2020
“Detyra ndaj Atdheut” 2022″.
Top Channel