Flakët masive në Los Angeles/ Arrestohet një i dyshuar për ndezjen e zjarrit, mbante një bombol me vete

10/01/2025 20:21

Policia amerikane ka arrestuar një person, i cili, sipas dëshmitarëve, ka tentuar të ndezë zjarr në zonën Ëoodland Hills të Los Angelesit.

Edhe pse autoritetet kanë nisur një hetim, ende nuk është konfirmuar lidhja mes të dyshuarit dhe zjarreve shkatërruese që kanë përfshirë Kaliforninë.

Banorët lokalë e ndaluan burrin të enjten dhe e mbajtën deri në arritjen e policisë. Sipas dëshmitarëve, ai kishte me vete një “bombol propani ose një lloj pajisjeje për të ndezur flakë”. Një grua që mori pjesë në ndalimin e tij, Renata Grinshpun, tha se dikush e kishte parë burrin duke tentuar të ndezë zjarr pas një furgoni.

Polici i LAPD-së, Charles Dinsel, deklaroi se pas arrestimit ka nisur një hetim për zjarrvënie në shtigjet Victory Trailhead, ku zjarri Kenneth shpërtheu 20 deri në 30 minuta përpara arrestimit të të dyshuarit.

Kur u pyet nëse besohet se zjarri ishte i qëllimshëm, Dinsel tha se “aktualisht besojmë se po”. Megjithatë, LAPD ka njoftuar në platformën X se ende nuk mund të konfirmojë lidhjen e të dyshuarit me ndonjë nga zjarret.

Zjarri Kenneth aktualisht është jashtë kontrollit (0 për qind nën kontroll) dhe deri të enjten pasdite kishte përfshirë pothuajse 1000 hektarë.

“Drejtësia do të jetë e shpejtë, e ashpër dhe do të kërkojmë dënimin maksimal”, deklaroi Prokurori i Qarkut të Los Angelesit, Nathan Hochman, duke shtuar se të dyshuarit për zjarrvënie mund të akuzohen për vrasje dhe të dënohen me burgim të përjetshëm.

Që nga e marta, të paktën 10 persona kanë humbur jetën nga seria e zjarreve që kanë përfshirë qarkun Los Angeles. Zjarri Kenneth është i treti për nga madhësia mes pesë zjarreve të mëdha aktive, të cilat kanë shkatërruar mbi 9000 ndërtesa, përfshirë mijëra shtëpi, dhe kanë detyruar banorët të evakuohen. Ky mund të jetë një nga fatkeqësitë më të kushtueshme të zjarreve në historinë e SHBA-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA