Ulja e çmimit të energjisë elektrike/ “Transformimi do të vazhdojë”, Rama: Për 3 vite do të arrijmë sovranitetin e plotë energjetik

08/01/2025 12:30

Të gjithë familjarët që konsumojnë deri në 700 kw/orë do të paguajnë 1 lek më pak deri më 31 dhjetor 2025. Vendimi i miratuar nga Bordi i Entit Rregullator të Energjisë nis zbatimin nga data 1 shkurt 2025.

Kryeministri Edi Rama së bashku me zv/kryeministren dhe njëherësh ministren e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku mbajtën një konferencë të përbashkët ku ndanë më shumë detaje rreth vendimit.

Rama u shpreh se ‘jemi tre vite larg sovranitetit energjetik’, ndërsa theksoi se transformimi do të vazhdojë.

“Kini parasysh disa fakte dhe po përsëris fakte që nuk dalin zakonisht në ekrane dhe në portale se ekranet dhe portalet janë shumë të interesuara për spektaklin e gjysmë të vërtetave dhe për thertoren publike të të gjithë personazheve publikë.

E para, Shqipëria sot falë politikës sonë në fushën e energjisë, falë masave komplekse që ne kemi marrë, qoftë me shtrëngimin e një hapësire tërësisht të shqyer që gjetëm kur gjysma nuk e paguante apo e vidhte energjinë dhe pjesa tjetër paguante dhe për pjesën tjetër dhe falë incentivave është jo vetëm e para në rajon për vet prodhimin e energjisë solare, por me distancë nga i dyti.

Sot Shqipëria prodhon 196 megavat energji elektrike nga subjektet private familjar apo biznese
Në vendin e dytë është Serbia me1/4 e prodhimit të Shqipërisë, 51 megavat. Pastaj Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë bashkë në një grup midis 14 dhe 18 megavat. Tre vjet! Tre vjet politikë në kulmin e sfidës nga kriza e madhe që prodhoi në gjithë sektorin energjetik edhe Europës, lufta në Ukrainë.

E dyta, sot Shqipëria 10% të prodhimit të saj e ka nga dielli. Kur ne hymë në këtë fazë ishte zero. Sot e ka 10 % dhe sot flasim për mbi 300 megavat prodhim që bazohet tek politika jonë e mbështetjes për diversifikimin e portofolit në funksion të sovranitetit të plotë energjetik të Shqipërisë dhe të kthimit të Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë brenda mandatit të katërt dhe bashkë me prodhimin që nuk është pjesa e kuadrit të masave tona mbështetëse, ka 500 megavat në total, por më e rëndësishme se kjo, sot në kanalin e investimeve që janë të pritshme bazuar në aplikimet e reja kemi 1300 megavat energji diellore, 1.3 giga. Që do të thotë në total do të arrijmë objektivin e 30 % të prodhimit të energjisë totale nga burime të tjera përveç ujit, kam parasysh diellin, kam parasysh dhe 300 megavat energji ere që janë projekte tanimë ta futura në proces.

Dhe në mbyllje, pse është e rëndësishme kjo? E rëndësishme kjo është për faktin që ndryshe nga ç’thonë të gjithë ata që thonë e thonë por s’dinë çfarë thonë dhe që rrokanisin kokën e opinionit publik me teorinë që ne kemi energji për vete dhe për të tjerët, në fakt në vitet e mira hidrike ne mbulojmë vetëm 75% të nevojave, që të jemi shumë të qartë, prandaj nuk jemi sovranë akoma. Por ama sot jemi tre vite larg sovranitetit të plotë energjetik sepse 30% të volumit të përgjithshëm që na duhet për të kompensuar, plus riciklimin e prodhimit hidrik përmes teknologjisë së re të pompimit që po e zbatojmë në Shqipëri si një projekt inovativ, në bashkëpunim me StatKraftin për Devollin dhe në mënyrë të pavarur nga KESH për Fierzën, do të na bëjnë që të jemi sovranë. Në vitet jo të mira hidrike dhe kemi pasur disa të tilla, ne e kemi 65% kapacitetin total të prodhimit, pra jemi të varur nga importi dhe nga çmimet e bursave dhe nga krizat e të tjerëve.

Ndërkohë që sot ne ju themi shqiptarëve me shumë krenari, u deshën vite, patjetër se duhen vite, por ne ia dolëm që t’iu shohim në sy e t’iu themi; ata që shpenzojnë dhe që janë rreth 95% e konsumatorëve deri në fashën 700 kilovat orë, do të kenë një ulje të çmimit të energjisë dhe mos harroni, në vitin 2019, pra që sipas meje ishte dhe mbyllja e kësaj fazës së parë për sovranitetin energjetik.

Konsumi më i lartë i vitit ishte 21 milionë kilovat orë në natën e Vitit të Ri. Nata e Vitit të Ri të 2019 ka qenë konsumi më i lartë i pikut. Sot 22 milionë kilovatë orë është normaliteti ndërkohë në pik ne shkojmë në 28-29 milionë dhe pikun nuk e kemi më vetëm për Vit të Ri siç e kishim dikur, por pikun e kemi edhe në periudhën e verës për shkak të rritjes eksponenciale të turizmit, por edhe në periudhën dhjetor – janar po ashtu. Çfarë thotë kjo? Kjo thotë një gjë shumë të madhe. Shqipëria është një vend tjetër. Shumë e thjeshtë, Shqipëria është një vend tjetër sepse rritja e konsumit të energjisë me këto përmasa, tregon rritje të ekonomisë, tregon rritje të kapaciteteve në të gjitha shtresat për konsum të energjisë dhe natyrisht që edhe ky është një fakt që na ndihmon të marrim këtë hap të uljes sepse kemi më shumë konsum, pra kemi edhe më shumë të ardhura.
Kjo është paraqitja ime.

Besoj shumë që ky moment materializon përpjekjet e të gjithë atyre që kanë kontribuuar dhe kontribuojnë në këtë fushë që nga drejtuesit deri tek elektricisti i fundit i sektorit publik të energjisë, deri tek numëruesi i fundit i sahatëve që është pjesë. Pjesa e sahatëve është pjesë e transformimit, pra transformimi vazhdon. Së shpejti, në javën e ardhshme, bashkë me zëvendëskryeministren dhe së bashku me një delegacion, ne do të shkojmë në Abu Dhabi për një tjetër moment historik, jo më të Shqipërisë si Shqipëri për konsumatorët e vet, por Shqipërisw si aktor i energjisë në nivel evropian.

Do ta shikoni pas ca ditësh, por sot fokusohemi tek ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe sot besoj dhe nga prezantimi që do të bëjë zëvendëskryeministrja, do të ekspozojmë me fakte edhe të gjithë ata, që pasi ia kanë nxirë dhe ia kanë errësuar jetën e përditshme në kuptimin fizik të fjalës, shqiptarëve, bëjnë teori për sektorin energjetik, ndërkohë që siç do të shikoni, çmimet e energjisë elektrike i kanë pasur më të larta sesa çmimi që është sot, jo sesa çmimi që do të jetë duke filluar nga muaji shkurt, po sesa çmimi që është sot dhe i kanë rrokanisur dhe i rrokanisin kokën shqiptarëve në bashkëpunim me kanale e portale të llumit, duke iu thënë që “ne e rritëm çmimin, ne e rritëm këtë..”. Ne s’kemi rritur asgjë, ne thjesht kemi rritur Shqipërinë dhe po rrisim Shqipërinë përditë, si një forcë në dispozicion të njerëzve që nuk ka qenë e mundur të jetë asnjëherë për shkak se ia kishin zënë sytë, ia kishin zënë gojën, ia kishin zënë frymën, ia kishin këmbët, ia kishin zënë dhe duart.”, u shpreh Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA